Udhëtarët nga BE-ja do të hyjnë me pasaporta në Londër
08 tetor 2020
| 22:13
Qeveria britanike njoftoi sot se së shpejti do t’u kërkojë udhëtarëve nga Bashkimi Europian, që duan të hyjnë në vend, të paraqesin pasaportat e tyre.
Më parë, qytetarët e BE-së mund të përdornin karta identiteti për të hyrë në Britani, siç është rasti në pjesën tjetër të Bllokut me 27 anëtarë, raporton ATSh.
“Kartat e identitetit janë më pak të sigurta se pasaportat”, argumentoi qeveria.
Kërkesa do të hyjë në fuqi nga tetori 2021, sipas dokumentit të politikave të qeverisë britanike, “Modeli Operativ i Kufirit”, i botuar sot.
Rregullorja e re vlen, gjithashtu, për vizitorët nga Zvicra, Islanda, Norvegjia dhe Lihtenshtajni.