Udhëtimi në Shqipëri më 1987, si një kthim prapa në kohë

16 nëntor 2023 | 08:43

Ishte 33 vjeç. Për Shqipërinë vetëm kishte dëgjuar. Ishte i majtë, por i zhgënjyer nga format e socializmit që kishte parë deri atëherë. Shpresonte se në Shqipëri ka për ta gjetur versionin perfekt. Në vitin 1987, Karl Kaser – historian i ri asokohe – shfrytëzoi një marrëveshje mes Shqipërisë dhe Austrisë, si dhe ngurrimin e kolegëve të tij për të ardhur në vendin e vetëm komunist e ateist në botë. Gjithçka që ka parë gjatë ditëve të qëndrimit të tij në Shqipëri, i hodhi në ditar. Socializmi që gjeti në Shqipëri ishte një makth. Nuk u besonte dot syve kur shihte një vend në varfëri ekstreme. Njerëz të veshur keq që nuk guxonin t’i flisnin pasi kishin frikë se dënoheshin, mungesa e etikës, hotelet, restorantet, rrugët, pallatet … gjithçka dukej si një kthim pas në kohë – të paktën gjysmë shekulli më pas.

Nga: Karl Kaser (1954–2022)

***

Në moshën 33-vjeçare, në bazë të një marrëveshjeje zyrtare mes Shqipërisë dhe Austrisë, unë vizitova për herë të parë Shqipërinë në nëntor 1987. Deri në vitin 1998, u riktheva në këtë vend, thuajse çdo vit, më së shumti dy deri në katër javë – çdo herë. Pas kësaj, vizitat e mia kanë qenë më sporadike. Yshtja fillestare për vizitat e mia të para ishte të familjarizohesha me një vend të cilin e kisha njohur vetëm përmes librave dhe nga transmetimet televizive të ndeshjeve të futbollit, ku mund të shihej stadiumi “Qemal Stafa” dhe mali i Dajtit në sfond.

Si një historian i Evropës Juglindore, qëllimi zyrtar i vizitës sime më 1987 dhe në vitet që pasuan, ishte studimi i kulturës historike dhe asaj bashkëkohore. Më duhet të pranoj se ekzistonte një motiv i tretë: aventura. Të vizitosh një vend të mbyllur, jashtë rrugës zyrtare të Alb-Turizmit, përbënte një sfidë të veçantë, meqë asnjë nga kolegët e mi nuk ishte i interesuar për këtë vend misterioz që pretendonte të ishte i vetmi vend socialist dhe i pari vend ateist në botë. Si historian, e kam shumë të qartë që kujtimet munden fare mirë të mashtrojnë. Kujtimet e mia patjetër që nuk bëjnë përjashtim!

Kujtimet e mia ndikohen nga jeta ime e së tashmes dhe nga pozitat e mia sociale, si dhe nga zhvillimet e shumta që ndodhin ndërkohë. Sidoqoftë, kujtimet e mia mbështeten në dokumente të shkruara. Këto përbëhen nga ditari im personal të cilin e fillova gjatë vizitave të mia të para, si dhe nga dy artikuj që kam publikuar ose bashkë-publikuar më 1990 dhe 1991 në Austrian Journal. Përveç këtyre, janë edhe dy libra të cilët unë i redaktova në bashkëpunim – pas udhëtimeve të gjata të punës në terren, në rajonin e Obotit në Shqipërinë e Veriut më 1993, si dhe në rajonin e Fterrës në Shqipërinë e Jugut më 1998.

Kujtimet e mia duhet të lexohen, së pari nëpërmjet këndvështrimit tim si një historian “objektiv”, por kjo, së dyti, nuk do të thotë se unë nuk kam bindjet e mia politike. Dua të rrëfej se kam qenë pjesë e kampit të majtë në Austri, qysh në fillimet e mendimit tim politik dhe e gjeta më në fund veten në këtë drejtim si pjesë e Partisë së Gjelbër, anëtar i së cilës kam qenë për shumë vjet. Kam qenë gjithmonë armik i socializmit të vërtetë, por edhe i demokracisë sociale. Socializmi i vërtetë ishte çnjerëzor; demokracia sociale u vinte tepër për shtat partive borgjeze, të paktën ky qe përfundimi i mendimit tim politik në ato vite.

Në fazën e parë të përvojës sime në Shqipëri, kisha shpresa të mëdha për prakticitetin e një rruge të tretë, mes socializmit të vërtetë dhe demokracisë të vërtetë sociale. Më duhet ta pranoj se nuk qe veçse një iluzion; edhe Shqipëria më zhgënjeu. Pavarësisht shënimeve që kam mbajtur, përafërsisht gjatë periudhës 1987-1992, ndihem i paaftë të ofroj një përshkrim koherent të vrojtimeve të mia gjatë këtyre viteve. Ndaj, vetëm sa do të citoj nga ditari në fjalë dhe nga artikuj të sipërpërmendur …!

***

12 nëntor, 1987: Kontakti im i parë me tokën shqiptare, në aeroport!

Aeroporti është i lezetshëm; miq dhe të afërm po presin udhëtarët në cep të pistës. U prita nga një përfaqësues i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, një shofer dhe një “Fiat” ngjyrë blu. Përshtypja ime e parë rrugës për në Tiranë: një vend shumë, shumë i varfër dhe një popull shumë, shumë i varfër; mjetet kryesore të transportit janë kuajt dhe qetë. Më vendosin në geton e Hotel “Tirana”. Getoja e dytë për të huajt është Hotel “Dajti”. Dua të futem në një kafene publike, por njerëzit më bëjnë të ditur se nuk jam i mirëpritur.

I gjithë qyteti është një zonë këmbësorësh; makinat pothuajse nuk ekzistojnë dhe ka vetëm dy semaforë. Shëtis përgjatë kryeqytetit të Shqipërisë, që zor se ka ngjasim me një metropol. Meqë kam ardhur nga Austria, kam ndjesinë se kam zbritur në tjetër planet! Duket se sikush më ka kthyer mbas në kohë me të paktën gjysmë shekulli. Fillon dhe kupton një gjë të tillë tek pamja dhe veshjet e popullsisë. Moda nuk ekziston. Veshjet i përkasin një tjetër epoke, po ashtu edhe modelet e flokëve. Askush nuk të bie në sy. Deri më tani nuk më ka zënë syri ndonjë femër që do ta quaja tërheqëse.

Çapitem rrugëve; njerëzit ndërrojnë drejtim përballë meje, por m’i ngulin sytë, sikur të kem ardhur nga tjetër planet. Ndihem i palumtur. Më e keqja është se nuk mund të flas dot me njerëz të thjeshtë, vetëm me zyrtarë dhe kolegë nga Akademia. Më vonë zbulova se ata që flasin me të huaj mund të dënohen deri në shtatë vite burgim. Situatë e pashpresë! Sidoqoftë, gjërat nuk janë aq bardhë e zi. Momenti kulminant në këtë drejtim janë tri vajza të reja në rrugët e Tiranës, studente pa dyshim, të cilat më kalojnë pranë. Njëra prej tyre më hedh sytë, “Si jeni”? më flet në anglisht. Ato qeshin dhe ia mbathin me vrap.

13 nëntor 1987: Përshtypja ime më dramatike për ditën e sotme, ishte të vrojtoja mënyrën e të ngrënit të klientëve shqiptarë në Hotel “Tirana”. Uou! Thikat janë komplet të panevojshme! Garnitura shërbehet e prerë në copa të vogla dhe mund të përpihet thjesht me pirun. Të përpihen, është shprehja e duhur! Po kështu, thikat nuk janë të nevojshme as për konsumimin e mishit. Shqiptarët i ngulin pirunin biftekut dhe i fusin një kafshatë gjithë copës së mishit. Në fakt, kjo është metoda më delikate. Për metodën më pak delikate, piruni gjithashtu nuk nevojitet.

E marrin bërxollën me dorën e djathtë dhe e gllabërojnë kafshatë pas kafshate. S’po u besoj syve! Shërbimi në hotel ishte disi i çuditshëm, sidomos në mëngjes. Kamerierët kanë zhvilluar një mënyrë specifike për të shmangur klientët. Një ditë ata më injoruan, për më pak se gjysmë ore. Në fund, mora iniciativën dhe shkova në kuzhinë për pak gjalpë dhe djathë. Kjo po që i preku në sedër. Ata filluan të më shërbejnë. Takoj një inxhinier italian telefonash, në hollin e hotelit, i cili gjithashtu po qëndron në Hotel “Tirana”.

Ai flet vetëm italisht dhe italishtja ime lë për të dëshiruar. Ai është përgjegjës për përmirësimin e linjës telefonike Tiranë-Shkodër. E ka zënë dëshpërimi. Çdo ditë më tregon histori të reja mbi moralin e punës; ata e kanë zakon të braktisin vendet e punës dhe të shkojnë për të bërë Pazar ose gjëra të tjera personale. Inxhinieri Italian ka krijuar një formë specifike sarkazme, për t’i mbijetuar situatës.

***

15 nëntor 1987: Vizitë në Krujë

Përshtypje të tmerrshme: fëmijë të pisët këmbëzbathur dhe me pantallona të shkurtra; barinj delesh dhe burra të veshur me rroba të vjetra, pantallona dhe xhaketa të ngrëna, si mos më keq, ulur mbi bordurat e ndyra të rrugës, gra të mbuluara; për më tepër, këpucët janë të paimagjinueshme. Në njërën anë, shtysa e parë është t’i fotografoj; në anën tjetër, më pështiroset kjo ide: trajtimi i varfërisë si kuriozitet. Për më tepër, përballë shoqëruesit tim të ri i cili është akoma një komunist i bindur, nuk dua të sillem si një kapitalist tipik që komenton varfërinë në të vetmin vend në botë me socializëm të vërtetë.

Në mbrëmje jam përsëri në dhomën time në Hotel “Tirana”: Ashtu i vetëm, bluaj me mendje “fytyrën e vërtetë” të komunizmit shqiptar. Duke u mbështetur edhe në përshtypjet e ditëve të kaluara, shkruaj në ditar: Përshtypjet që kemi në Perëndim për Shqipërinë komuniste janë plotësisht të gabuara dhe çorientuese. Beteja ideologjike që Partia e Punës së Shqipërisë ndërmerr kundër “revizionistëve”, “euro-komunistëve” etj., të japin përshtypjen se Shqipëria është një shtet socialist me zhvillim të lartë, madje dhe ideologjikisht. Këto janë gjepura! Ta nisim me faktin që Zëri i Popullit nuk është ai organ i madh i shtypit dhe me zor boton katër faqe, çdo ditë të javës.

Ata që besojnë se shqiptarët përputhen ideologjikisht me partinë e tyre, gabohen tmerrësisht. Mjafton të vizitosh fshatrat; aty nuk të mirëpret socializmi, por tradicionalizmi, më së shumti ai islamik …! Moska, Pekini, euro-komunizmi, revizionizmi – kam përshtypje se këto gjëra nuk kanë kurrfarë rëndësie për jetën e përditshme të shqiptarëve. Po kështu, kulti i supozuar i Stalinit në vend nuk është aspak i vërtetë. Në sheshin kryesor të Tiranës gjejmë vetëm monumentin e një personaliteti – Skënderbeun, jo Stalinin. Deri tani më kanë zënë sytë vetëm dy buste të Stalinit në Tiranë – pa asgjë, as edhe ndonjë shkrim simbolik. Përtej pallavrave ideologjike, mendoj se PPSh-ja ka dy synime të vërteta: Të fitojë luftën kundër varfërisë dhe, në lidhje me këtë, luftën kundër tradicionalizmit i cili është thellë i rrënjosur. Në të dyja drejtimet, të paktën kjo është përshtypja ime, PPSh-ja ka dështuar.

Ruajtja e sovranitetit të vendit dhe kapërcimi i mungesës së zhvillimit duke u mbështetur në burimet e brendshme. Kjo është përkufizuar ideologjikisht, duke e shpallur Shqipërinë vendin e vetëm socialist në botë (s’ka taksa, shërbimet sociale janë falas për të gjithë etj.). Gjithsesi, socializmi shqiptar është primitiv, i mbështetur në një shoqëri të pazhvilluar. Socializmi shqiptar, nuk mund të funksionojë në një shoqëri të zhvilluar.

Dhe, ky lloj socializmi mund të funksionojë vetëm për aq kohë sa vendi mbetet i izoluar. Sapo vendi të hapë dyert e tij, për botën e jashtme, sistemi i bukur do të shkërmoqet. Në të njëjtën kohë ky izolim, do të kthehet në problemin më të madh të vendit. Një gjeneratë e tërë rritet totalisht e fokusuar mbi vendin e vet, pa asnjë ide mbi Evropën! Nga ana tjetër, kemi përpjekjen tërheqëse që ka të bëjë me tejkalimin e mungesës së zhvillimit, duke u mbështetur plotësisht, në burimet brenda vendit.

Shqipëria nuk merr asnjë hua zhvillimi nga organizatat ndërkombëtare. Nëse ky model do të kishte sukses – për këtë kam dyshimet e mia – atëherë do të kthehej në model shembullor për të gjithë Botën e Tretë. Përpjekja është mbresëlënëse, por historia, na mëson se kjo përpjekje, nuk ka nevojë për PPSh-në dhe ideologjinë e saj.

***

17 nëntor 1987: Vizita e dytë në Muzeun Kombëtar. Në fakt është diçka interesante. Por, nëse do e kisha ditur që kati i tretë i muzeut i është kushtuar plotësisht Luftës Nacionalçlirimtare, nuk do të kisha shpenzuar kaq shumë kohë me periudhën otomane. Gjithë-gjithë kanë kaluar gjashtë orë dhe kemi shumë për të parë.

E gjej të vështirë orientimin nëpër Tiranë. Të gjitha blloqet me apartamente ngjajnë njësoj, çdo rrugë si rrugët e tjera. Sinjalistika rrugore thuajse mungon, ndaj dhe humbas shpeshherë rrugën.

***

18 nëntor 1987: Pogradec, buzë liqenit të Ohrit

Qyteza mbahet si një destinacion i famshëm turistik. S’e kuptoj pse. Më depresionin. Hoteli “Ylli i Kuq” i Alb-Turizmit është një marrëzi e vërtetë! Turistët kanë kohë që kanë firuar dhe hoteli është hapur për publikun. Restoranti duket si ndonjë stacion treni. Porosis peshk dhe verë të kuqe të markës “Skënderbe” dhe jeta ime fiton balancën e saj.

Korçë: Hoteli është më se rural, ambienti i restorantit është shumë elegant, më se i përshtatshëm për “delegacionin austriak”. Me sa duket, Korça është e famshme për birrën e saj …

***

21 nëntor 1987: Jemi nisur për në Shkodër

Ka dy-tri ditë që bie shi. Është e qartë që fushat nuk kanë sisteme drenazhimi, ndaj dhe janë përmbytur. Punëtorët e autokombajnave, përpiqen më kot të hapin kanale drenazhimi përmes fushave të mrekullueshme – gjithçka bëhet me dorë. Një volum i jashtëzakonshëm pune. Në Shkodër vizitojmë një pallat sporti me harqe – ish-Katedralja Katolike. Mbyllja e Katedrales në më 1967 – më shpjegon shoqëruesi – erdhi si rezultat i nismës “spontane” të rinisë dhe Partisë iu desh të përgjigjej. Në Shkodër, sidomos, situata duhet të ketë qenë e jashtëzakonshme, sepse klerikët mbaheshin si bashkëpunëtorë të ngushtë me reaksionarët, italianët dhe CIA-n. Me sa dukej, të gjithë reaksionarët paguheshin nga CIA për të provokuar kundërrevolucion. Partia duhej të kundërpërgjigjej dhe a mund të kishte mënyrë më të logjikshme se të deklaroheshe “shteti i parë ateist në botë” dhe të zhdukje klerikët?

***

23 nëntor 1987: Që në mëngjes është programuar një vizitë nderimi në varrin e nderuar të Enver Hoxhës. S’jam aspak entuziast, por unë jam një “delegacion” zyrtar dhe s’kam si të refuzoj. I armatosur me një kurorë me lule, më prijnë për te varri pranë monumentit “Nëna Shqipëri” i cili ruhet nga rojet e nderit. Unë kam veshur xhinse, një xhaketë dosido dhe këpucë të përditshme, por sillem “me shumë respekt”. Në fakt po argëtohem.

***

25 nëntor 1987: Vizitë, në ekspozitën e përhershme “Shqipëria sot”

Aty prezantohen arritjet e masave shqiptare dhe rezultatet më të fundit të prodhimit industrial shqiptar. Më duket sikur po vizitoj një muze industrial. Nuk arrij ta besoj që këto mallra sapo janë prodhuar! Konkluzionet e vizitës sime: “Socializmi i vërtetë që ekziston në Shqipëri është një makth i vërtetë! Dua të ulërij me sa më ha gurmazi: Rroftë kapitalizmi i stilit austriak! E vërteta është: Partia e ka shpërndarë varfërinë në mënyrë të barabartë mes shqiptarëve, me përjashtim të nomenklaturës. Kjo është arritja më e madhe e shokëve shqiptarë. Nëse njerëzit në Bashkimin Sovjetik, apo në Kinë, nuk do të kishin shpenzuar kaq shumë për Shqipërinë, vendi nuk do të kishte reshtur kurrë së ekzistuari”.

Pavarësisht kësaj, Shqipëria zyrtare është krenare për arritjet e veta. A e di partia që qeveris vendin më të varfër në Evropë? Zyrtarisht, ajo nuk e krahason Shqipërinë me vendet e tjera evropiane. Ajo krahason shifrat e prodhimit të kohës me ato të erës së mbretit Ahmet Zogu. Normalisht që ky krahasim rezulton me një arritje fantastike. Është e qartë se këto shifra janë të pakrahasueshme; mjafton të përmendim faktin që Zogu pati vetëm një dekadë kohë për të eksperimentuar, PPSh-ja ka pothuaj gjysmë shekulli.

E vërtetë që partia e nisi nga zero në 1944! Megjithatë, arritjet janë zhgënjyese. Shpallja e ateizmit sigurisht që nuk është një arritje e madhe. Pastaj, zgjidhja që Qemal Ataturku i dha problemit të fesë, në kushte shumë më të vështira, ishte shumë më bindëse. Përtej kësaj, shteti ateist nuk është veçse një fshat Ptemkinas. Kam përshtypjen se në përgjithësi, sjellja tradicionale nuk ka ndryshuar! E vetmja dukuri pozitive për mua është fakti i dukshëm se Partia kërkon mënyrën e saj për të tejkaluar mungesën e zhvillimit. /Memorie.al/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti izraelit Isaac Herzog tha se Izraeli nuk mund të…