Udhëtimi pa viza, rreth 15 mijë aplikime brenda javës për t’u pajisur me pasaportë
Nga 1 janari i këtij viti, qytetarët e Kosovës kanë fituar të drejtën e udhëtimit pa viza në vendet e Bashkimit Evropian.
Një vendim i tillë, ka kontribuar drejtpërsëdrejti edhe në rritjen e numrit të qytetarëve që kanë kërkuar të pajisjen me dokumente udhëtimi siç janë pasaportat dhe letërnjoftimet.
Zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Brendshme, Nora Fetoshi në një prononcim për “Telegrafin” ka bërë me dije se nga 3 janari është shënuar një rritje e ndjeshme e aplikimeve për pasaportë dhe letërnjoftime.
“Sipas të dhënave zyrtare, janë pranuar gjithsej 14 588 aplikime për pasaportë dhe 6 206 aplikime për letërnjoftime gjatë kësaj jave”, ka thënë Fetoshi.
Liberalizimi i vizave u mundëson qytetarëve të Kosovës, që kanë pasaporta biometrike, të qëndrojnë deri në 90 ditë – brenda gjashtë muajsh – në cilindo nga 27 shtetet anëtare të zonës Schengen.
Kosova ishte vendi i fundit i Ballkanit Perëndimor, qytetarët e të cilit deri më 1 janar të këtij viti nuk mund të lëviznin lirshëm në zonën Schengen.
Kjo pavarësisht faktit se që nga viti 2018, Komisioni Evropian kishte konfirmuar disa herë që Kosova kishte përmbushur të gjitha kushtet për liberalizimin e vizave, por që disa shtete vazhdimisht kishin shprehur rezerva.