Udhëzimi administrativ për përcaktimin e rregullave dhe kuotave të importit, goditje shkatërruese për sektorin privat

12 gusht 2024 | 12:41

Shkruan: Safet Gërxhaliu

Në një kohë kur vëmendja e opinionit publik është përqendruar tek çështja e Urës së Ibrit dhe momenti eventual i hapjes së saj, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) ka ndërmarrë një hap të rrezikshëm që prek thellësisht sektorin privat.

Ministrja e kësaj ministrie ka nënshkruar Udhëzimin administrativ nr. 06/2024, që përcakton rregullat dhe procedurat për administrimin e kuotave të importit.

Ky udhëzim, i cili kaloi në heshtje dhe pa shumë zhurmë mediatike dhe pa dialog publiko – privat, vendos një kontroll të rreptë mbi sasinë dhe llojin e produkteve që mund të importohen në Kosovë, si dhe mbi kompanitë që kanë të drejtën të kryejnë këto importe. Një qasje e tillë është më e zakonshme në vendet me regjime totalitare dhe bie ndesh me parimet e tregut të lirë që karakterizojnë një ekonomi të hapur si ajo e Kosovës.

Dëmet e këtij udhëzimi nuk do t’i ndiejë vetëm sektori privat, por edhe qytetarët dhe ekonomitë familjare. Pasojat e menjëhershme pritet të jenë një valë e re e rritjes së çmimeve, duke e bërë jetesën më të vështirë për shumicën e qytetarëve të Kosovës. Kjo do të jetë një goditje e rëndë për ekonomitë familjare, veçanërisht pas inflacionit dhe ngritjes së çmimeve që kemi përjetuar gjatë muajve të fundit.

Përveç kësaj, ky udhëzim pritet të favorizojë vetëm disa kompani të caktuara dhe oligarkët që mbështesin partinë në pushtet, ndërsa shumë kompani të tjera, përfshirë ato që përfaqësojnë brende ndërkombëtare në vendin tonë, do të përballen me sfida serioze për mbijetesë. Kjo situatë mund të largojë edhe investitorët e huaj, të cilët tashmë janë të pakët ose mungojnë plotësisht në Kosovë, duke krijuar një klimë investimi të pasigurt dhe të papërshtatshme.

Ajo që është më shqetësuese është fakti që ky udhëzim është miratuar pa një konsultim paraprak me përfaqësuesit e sektorit privat, të cilët janë ata që do të preken drejtpërdrejt nga ky rregullim. Kjo tregon qartë se (MINT) është e distancuar nga nevojat dhe sfidat e sektorit privat, duke ndërmarrë vendime që dëmtojnë zhvillimin ekonomik dhe nxisin një mjedis të pafavorshëm për bizneset.

Në vend që të përqendrohet në promovimin e investimeve të huaja dhe mbështetjen e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, MINT-i duket se po krijon mekanizma që shtypin tregun e lirë në Kosovë. Kjo është një goditje e rëndë për ekonominë e vendit dhe për perspektivat e zhvillimit të tij në të ardhmen.

Është për t’u habitur kur shikon në faqen zyrtare të Ministrisë në rrjetet sociale, përfaqësues të shoqatave të biznesit dhe organizatave tjera që i bëjnë “like” një postimi të tillë, duke treguar një mungesë të qartë të mbrojtjes së interesave të biznesit dhe një servilizëm të thellë ndaj çdo qeverie apo ministri.

Në anën tjetër, është gjithashtu shqetësues fakti që opozita në Kosovë duket se ka humbur orientimin e saj dhe nuk trajton tema të tilla që do të mund të godisnin qeverinë aktuale dhe t’i detyronin të rimendonin politikat e tyre. Këto janë çështje që duhet të ngrihen nga opozita, për t’i mbrojtur interesat e qytetarëve dhe të sektorit privat, për të parandaluar pasojat që do të vijnë në të ardhmen si rezultat i këtyre vendimeve të papërshtatshme.

Pse heshtin asociacionet e bizneseve në Kosovë dhe shoqëria civile për vendime të tilla qeveritare që janë shkatërruese për sektorin privat i cili është shtyllë e funksionimit të Republikës së Kosovës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, përmes…