Udinese turpëron “kuqezinjtë” në “San Siro”
Mund të thuhet me plotë gojë, se “kuqezinjtë” e Milan janë në krizë totale dhe këtë gjë e vërtetoi pikërisht performanca e mbrëmjes së kësaj të shtune, ku u mund me rezultatin minimal 0 me 1, nga “bardhezinjtë” e Udinese, në mitikun “San Siro”.
Goli i vetëm i sfidës erdhi në minutën e 61’-të të sfidës, ku pas një ndërhyrje të gabuar në zonë, të mesfushori francez, Yacine Adli arbitri akordon një 11-metërsh dhe nga pika e bardhë e penalltisë, “fantazisti” argjentinas, Roberto Pereyra nuk gabon, duke e çuar topin në rrjetën e Mike Maignan, për të “vulosur” fitoren e skuadrës së tij.
Me këtë rezultat, skuadra e Milan mbetet në vendin e 3-të të renditjes, me 22 pikë, 1 më pak se Juventus i vendit të 2-të e 6 më pak se Inter i vendit të parë, ndërsa Udinese ngjitet në vendin e 16 të renditjes, me 10 pikë, duke dalë momentalisht nga “zona e ftohtë” e rënies nga kategoria.