UEFA dënon presidentin e Romës, klubi do apelojë
Si rrjedhojë e deklaratave të ashpra pas gjysmëfinales së Ligës së Kampionëve sezonin e shkuar, James Pallotta është dënuar nga UEFA.
Ndeshja gjysmëfinale e Ligës së Kampionëve mes Romës dhe Liverpoolit ku skuadra italiane ishte eliminuar, James Pallotta kishte shpërthyer në kritika në adresë të gjyqtarëve dhe UEFA-s.
Kaq ka mjaftuar dhe komisioni i Disiplinës pranë UEFA-s ka vendosur një pezullim për tre muaj për numrin një të klubit verdhekuqë. Në këtë mënyrë Pallotta nuk do të ketë të drejtën që të qëndrojë në fushë, të zbresë në ambientet e brendshme të klubit gjatë ndeshjeve që organizohen nga UEFA.
Për tre muajt e ardhshëm ai do ta ketë të ndaluar që të takojë lojtarët dhe stafin teknik gjatë ndeshjeve në arenën ndërkombëtare, transmeton kp.
Sikur të mos mjaftonte kjo, UEFA ka dënuar edhe klubin me 19 mijë euro, për shkak të fishekzjarrëve të hedhura në po të njëjtën ndeshje.