UEFA dhe FIFA: Klubet e Super League-s do të përjashtohen nga të gjitha garat
Lajmi për krijimin e Super League-s së Europës në mënyrë të pashmangshme shkaktoi alarm në UEFA, e cila reagoi pak orë para vendimit të 12 klubeve për të njoftuar zyrtarisht lindjen e kompeticionit të ri.
UEFA dhe ligat evropiane kanë konfirmuar përmes një deklarate të përbashkët, se janë të gatshme të përjashtojnë nga garat kombëtare dhe ndërkombëtare të gjitha ekipet e përfshira në projektin e Super League-s.
Gjithashtu, lojtarëve të këtyre klubeve do t’u ndalohet grumbullimi me ekipet kombëtare. Një deklaratë e vërtetë lufte për klubet e përfshira në krijimin e Super League-s.
Qëndrimi i UEFA-s
“UEFA, Shoqata e Futbollit Anglez dhe Premier League, Federata Spanjolle (RFEF) dhe LaLiga, FIGC dhe Lega Serie A, lezohett në shënimin e lëshuar nga zyrat e UEFA-s në Nyon, kanë mësuar që disa klube angleze, spanjolle dhe italiane mund të jenë në procesin e njoftimit të krijimit të një të ashtuquajture Super League. Nëse kjo ndodh, ne duam të përsërisim se UEFA, Shoqata e Futbollit Anglez, RFEF dhe FIGC, Premier League, LaLiga dhe Lega Serie A, por edhe FIFA dhe të gjithë anëtarët tanë, do të qëndrojmë të bashkuar në përpjekjen tonë për të ndaluar këtë projekt cinik, një projekt i bazuar në interesat personale të disa klubeve në një kohë kur shoqëria ka nevojë për solidaritet më shumë se kurrë.
Ne do të shqyrtojmë të gjitha masat e mundshme, si gjyqësore dhe sportive, për të parandaluar që kjo të ndodhë. Futbolli bazohet në garë të hapur dhe merita sportive: nuk mund të jetë ndryshe. Siç ishte njoftuar më parë nga FIFA dhe gjashtë federatat, klubet në fjalë do të të skualifikohen nga çdo garë kombëtare, europiane dhe botërore dhe lojtarët e tyre do të ndalohen të përfaqësojnë ekipet e tyre kombëtare. Ne falënderojmë ato vende, veçanërisht klubet franceze dhe gjermane, të cilët refuzuan të nënshkruajnë këtë marrëveshje.
Liga e parë që u distancua dhe censuroi lindjen e një Super League ishte Premier League, e cila me një deklaratë zyrtare “dënoi çdo propozim që sulmon parimet e konkurrencës së hapur dhe meritës sportive, që është zemra e kampionateve kombëtare dhe europiane. Tifozët e çdo klubi në Angli dhe Europë mund të ëndërrojë që ekipi i tyre të arrijë majën dhe të luajë kundër më të mirëve. Ne besojmë se koncepti i një Super League Evropiane do ta shkatërronte këtë ëndërr.”
Qëndrimi i FIFA-s
“Duke marrë parasysh lajmet e publikuara nga media, FIFA dëshiron të sqarojë se merr anën e solidaritetit dhe barazisë në futboll, me një model që lejon rishpërndarjen e burimeve globalisht, duke pasur parasysh që zhvillimi është qëllimi i parë i FIFA-s.
Në vizionin tonë, sipas statutit tonë, çdo garë kombëtare, rajonale ose globale duhet të bazohet në solidaritet, përfshirje, integritet dhe drejtësi. Organet drejtuese të futbollit duhet të sigurojnë që kjo të mos cënohet.
FIFA shpreh zhgënjimin e saj për lindjen e një kampionati të mbyllur, që është jashtë strukturave. FIFA është në anën e unitetit dhe u kërkon të gjitha palëve që të bashkohen në dialog me qetësi, ekuilibër dhe në emër të lojës së ndershme. FIFA do të bëjë më të mirën e mundshme për të harmonizuar gjithçka në interes të futbollit”.