Rrethi paraeliminator i Ligës së Kampionëve në “Fadil Vokrri” dhe “Adem Jashari”
Federata e Futbollit e Kosovës ka marrë një lajm të mirë nga UEFA. Në fakt, organi qeverisës i futbollit evropian ka vendosur që t’ia besojë FFK-së organizimin e rrethit paraeliminator për Ligën e Kampionëve. Kjo do të jetë hera e parë që një ngjarje e tillë do të organizohet në Kosovë.
FFK-ja kishte aplikuar me kohë për marrjen e organizimit të ndeshjeve të rrethit paraeliminator dhe në saje të partneritet shumë të mirë ndërmjet dy institucioneve, por edhe organizimit shumë të mirë që FFK-ja ka bërë në ndeshjet e Kombëtares në Ligën e Kombeve, sot, ka ardhur lajmi pozitiv nga selia e UEFA-s.
Stadiumi “Fadil Vokrri” në Prishtinë, por edhe ai “Adem Jashari” në Mitrovicë, do të jenë arena ku klubi ynë kampion do të mund t’i mirëpresë skuadrat kampione nga San Marino, Andorra dhe Gjibraltari.
“Kërkesa për organizimin e këtij rrethi nga FFK-ja është bërë me qëllim që t’i lehtësohet puna klubit tonë që do të na përfaqësojë në këtë garë: të ketë më pak shpenzime; ta ketë mundësinë për ta shijuar përparësinë e terrenit vendas dhe ta gëzojë përkrahjen e madhe të tifozëve në një garë kaq të rëndësishme, por njëherësh si qëllim ka edhe faktin që klubi ynë të arrijë rezultate sa më të mira dhe në këtë mënyrë liga jonë të vlerësohet më lartë dhe në të ardhmen të kemi më shumë ekipe pjesëmarrëse në garat evropiane”, thuhet në njoftimin e Federatës së Futbollit të Kosovës.
Të rikujtojmë se vitin e kaluar ky rreth paraeliminator u zhvillua në Gjibraltar, ku kampioni i Kosovës, Drita arriti ta mbyllë me sukses, duke kaluar në rrethin e parë kualifikues, ku më pas u eliminua nga skuadra e njohur suedeze, Malmo.
Ndeshjet e rrethit paraeliminator do të zhvillohen prej 20 deri më 27 qershor, 2019.