UEFA ia dha 1.9 milion euro, ja për çfarë do t’i shpenzojë Federata e Futbollit
Federata e Futbollit e Kosovës ditë më parë pranoi një shumë prej 1.9 milion eurove nga UEFA. Menjëherë pas kësaj shumë klubet kanë kërkuar mjete financiare nga FFK-ja për t’i ndihmuar gjatë kësaj kohe të pandemisë. Por, shtëpia më e madhe e futbollit në Kosovë nuk mori veprim për t’i shpërndarë këto mjete, pasi ato janë të destinuara vetëm për FFK-në.
FFK-ja ka publikuar edhe shkresën e marrë nga UEFA se ku duhet të destinohen këto para. “UEFA nëpërmjet një shkrese drejtuar FFK-së e ka sqaruar situatën e fondeve të saj për federatat anëtare nëpërmjet programit HatTrick, duke u dhënë fund spekulimeve në media dhe rrjete sociale të disa personave nga klubet e futbollit në Kosovë, të cilët pretendonin për fonde nga UEFA, duke e keqinterpretuar Raportin Financiar të UEFA-s 2018/2019”.
“Programi i HatTrick-ut u krijua për të ofruar mbështetje financiare për federatat anëtare të UEFA-s, duke mbështetur projektet zhvillimore në të gjitha nivelet brenda territoreve të tyre. Andaj, bazuar në këtë UEFA e ka dhënë edhe sqarimin shtesë”, thuhet në njoftimin e FFK-së.
(B. D.: “Epoka e re”)