UEFA mbështet FFK-në

22 maj 2019 | 22:20

UEFA do ta vazhdojë mbështetjen për Federatën e Futbollit të Kosovës edhe në të ardhmen. Këtë lajm e ka konfirmuar të mërkurën në Prishtinë shefi i Divizionit i Federatave Kombëtare të UEFA-s, Thierry Favre. Ndërsa kryetari i FFK-së, Agim Ademi, bëri me dije se futbolli i Kosovës do të vazhdojë me reforma dhe se nga viti 2020/2021 në Superligë do të jenë vetëm 10 ekipe.

Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) dhe futbolli në përgjithësi e ka përkrahjen e UEFA-s. Këtë lajm e ka dhënë të mërkurën në konferencë për medie shefi i Divizionit të Federatave Kombëtare të UEFA-s, Thierry Favre, i cili është duke qëndruar për një vizitë në Kosovë.

“Jam i lumtur që jam sërish këtu. Ka kaluar kohë e gjatë që nga vizita ime e fundit në shtator e cila ishte e mrekullueshme, gjatë inaugurimit të stadiumit ‘Fadil Vokrri’. Në mëngjes më është prezantuar versioni i përmirësuar i qendrës stërvitore në Obiliq, i cili është i mirë dhe besoj të fillojë këtë verë. Tash keni kushte më të mira se më parë krahasuar me objektin tjetër, por besoj se do të keni vizion për ta pasur një zyrë edhe më moderne dhe me gjasë do të përfitoni nga mbështetja financiare dhe teknike e UEFA-s”, ka thënë Favre, i cili ka konfirmuar se në mbledhjen e Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s do të miratohet vendimi që nga viti i ardhshëm Kosova të përfaqësohet me tri klube në garat evropiane.

Edhe një befasi tjetër do të jetë nga takimi i KE të UEFA-s në Baku, të cilën Favre nuk e bëri publik. Pjesëmarrjen e tri skuadrave të Kosovës në arenën ndërkombëtare e konfirmoi edhe kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi. “Në Budapest gjithmonë kemi marrë lajme të mira. Disi aty jemi pranuar dhe tash është bërë një lajm i mirë për ekipet, pasi është shtuar një ekip. Në fakt, kjo është shtuar nga Giorgio Marchetti, i cili është përgjegjës për këtë punë, edhe pse nuk e kemi arritur koeficientin, por kemi bërë kërkesa të llojllojshme dhe sikur është shpërblyer puna jonë dhe klubet tona të cilat kanë qenë në gara evropiane vitin e kaluar kanë kaluar një fazë më lart, Drita dhe Prishtina dhe aty është një poentë. Gjithsesi këtu impaktin e ka edhe kombëtarja jonë e cila është me një sukses të madh. Ajo është vendosur por miratimi, në njëfarë mënyrë, siç thuhet, bëhet në Baku, për faktin se aty mblidhet komplet komiteti ekzekutiv”, ka thënë Ademi, i cili ka konfirmuar me këtë rast se nga viti 2020/2021 do të ketë ndryshime në futbollin e Kosovës. “Viti 2020/2021 do të na gjejë me sistem të ri të garave. Superliga do të jetë me 10 ekipe. Edhe ligat e tjera do të pësojnë ndryshime eventuale”, ka thënë Ademi.

/Veton ZYMBERI/

 

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sot në Rumani, si pasojë e një aksidenti automobilistik, ka…