UEFA miraton kërkesën e FFK-së për fillimin e trajnimeve për Licencën A
Federata e Futbollit e Kosovës së shpejti do të fillojë trajnimet për trajnerë për dhënien e Licencës UEFA – A.
Pas një pune të jashtëzakonshme dhe profesionale të sektorit të edukimit për dhënien e Licencave C dhe B, të udhëhequr nga drejtori teknik Michael Nees dhe instruktorja Sanije Krasniqi, UEFA ka miratuar kërkesën e FFK-së për të filluar edhe trajnimet për dhënien e Licencës UEFA A për trajnerë. “Sektori i edukimit në UEFA e ka vlerësuar me nota të larta procesin e edukimit të trajnerëve nga FFK-ja dhe si rrjedhojë e ka miratuar kërkesën për fillimin e punës edhe për Licencën UEFA A. Procesi i trajnimit të trajnerëve për Licencën UEFA A pritet të fillojë në muajin nëntor, derisa FFK menjëherë pas plotësimit të afateve kohore të parapara me rregulloret e UEFA-s do të aplikojë edhe për Licencën UEFA Pro”, thuhet në njoftimin e Federatës së Futbollit të Kosovës.
FFK-ja e falënderon sektorin përkatës të UEFA-s për miratimin e kërkesës së FFK-së, pasi nevoja dhe kërkesat e trajnerëve kosovarë për t’u licencuar me Licencën UEFA A kanë qenë të mëdha. Të rikujtojmë se deri më tash FFK-ka ka licencuar 108 trajnerë me Licencën B, 331 trajnerë me Licencën C, 24 trajnerë me Licencën C për trajnerë të portierëve, si dhe janë trajnuar 104 trajnerë në kursin D të trajnerëve të portierëve dhe 51 liderë të Grassrootsit.
/Epoka e re/