UEFA nis hetimet ndaj Ronaldos për festimin provokues
18 mars 2019
| 14:04
UEFA ka nisur hetimet ndaj festimit provokues të Cristiano Ronaldos pasi që ai udhëhoqi Juventusin drejt fitores 3-0 ndaj Atletico Madridit në mesjavën e kaluar, duke e kualifikuar skuadrën në çerekfinale të Ligës së Kampionëve.
UEFA të hënën ka njoftuar se Ronaldo përballet me sjellje të pahijshme, pasi ai kishte përsëritur festimin që kishte bërë trajneri i Atleticos, Diego Simeone në ndeshjen e parë mes dy skuadrave në Madrid, të cilën skuadra madrilene e kishte fituar me shifrat 2-0.
Komisioni i Kontrollit, Etikës dhe Disiplinës i UEFA-s do të marrë vendim për rastin të enjten. Simeone për festimin e tij ishte gjobitur me 20 mijë funte, mirëpo nuk u suspendua.