UEFA shton numrin e lojtarëve në ‘Euro 2024’
Skuadrat e Kampionatit Evropian për turneun 2024 do të rriten në 26 lojtarë, thotë “Mail Sport”.
“Euro 2024” do të zhvillohet në Gjermani këtë verë, me 24 ekipe nga i gjithë kontinenti që luftojnë për të drejtën për të pretenduar titullin e ekipit më të mirë të Evropës, me Italinë mbajtëse aktuale.
Si UEFA, për Euro 2020, ashtu edhe FIFA, për Botërorin 2022, kishin lejuar të gjithë trajnerët të zgjidhnin 26 lojtarë, duke i gjykuar si të jashtëzakonshme rrethanat në të cilat ndodhën këto dy ngjarje. E para menjëherë pas Covid-it dhe e dyta në dimër, në mes të sezonit sportiv.
Ishte parashikuar që kufijtë të ktheheshin në normalitet këtë vit, megjithatë një votim të hënën në një takim të komitetit kombëtar të garave të UEFA-s ka dhënë dritën jeshile për skuadrat me 26 lojtarë.
Votimi nuk përkthehet domosdoshmërisht në një ndryshim të vendosur, pasi Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s duhet së pari të sanksionojë një ndryshim formal të rregullit, megjithëse tregon se skuadrat me 26 lojtarë mund zyrtarizohen së shpejti.
Sugjerimi fillimisht ishte ngritur dy javë më parë në Dusseldorf të Gjermanisë në një takim të menaxherëve të ekipeve kombëtare.
Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s nuk do të mblidhet për gati një muaj, 22 maj, megjithëse ky vendim mund të ratifikohet nga distanca. Një eventualitet i tillë mund të ndodhë edhe më vonë këtë javë.
Trajneri i Anglisë, Gareth Southgate është në mesin e atyre që kishin kërkuar një listë të zgjeruar për Euro 2024. Megjithatë, Sylvinho i Shqipërisë ishte kundër saj.
8 qershori është përcaktuar nga UEFA si data e fundit kur trajnerët e ekipeve kombëtare të kualifikuara në Euro 2024 do të dorëzojnë listën përfundimtare me lojtarët e thirrur.