UEFA vazhdon t’u besojë gjyqtarëve nga Kosova
Gjyqtarët kosovarë vazhdojnë të bëjnë paraqitje të shkëlqyeshme në arenën ndërkombëtare, duke bërë që UEFA të vazhdojë të besojë tek ta për këtë edicion të ri të garave evropiane.
Për ndeshjen e rëndësishme ndërmjet skuadrës daneze, Nordsjælland dhe asaj rumune, FCSB, e cila do të zhvillohet të enjten në stadiumin “Right to Dream Park” në Farum, autoritetet e futbollit evropian kanë vendosur gjyqtarë kosovarë. Genc Nuza do të jetë gjyqtari kryesor i kësaj përballje, me asistentë Fatlum Berishën dhe Arbnor Bullatovcin.
Gjyqtari i katërt do të jetë Dardan Çaka. Kjo ndeshje është pjesë e rrethit të tretë të Ligës së Konferencës. Dueli i parë ndërmjet këtyre dy skuadrave në Rumani përfundoi pa gola (0-0).
Krahas rritjes së nivelit të futbollit vendor, është rritur dukshëm edhe niveli profesional i gjyqtarëve tanë, gjë e cila po vlerësohet edhe nga UEFA, pasi gjatë këtij edicioni gjyqtarët tanë në vazhdimësi janë deleguar në garat e Ligës së Konferencës.