UEFA vendos për stadiumet e ‘Euro 2020’
Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s është mbledhur sot dhe ka marrë disa vendime. Sikurse ishte raportuar në media, Bilbao nuk do të presë ndeshje të EURO 2020 për shkak se autoritetet lokale nuk kanë garantuar që ndeshjet të luhen me tifozë.
KE ka vendosur që ndeshjet e programuara të zhvilloheshin në San Mames të zhvendosen për në Sevilla. Autoritet atje kanë garantuar se do të lejohet të ketë tifozë sa 30 për qind e kapacitetet të stadiumit.
Edhe Dublini ka dalë nga harta e EURO 2020 për të njëjtën arsye dhe vendin e tij e ka marrë Shën Petersburgu. Tre prej ndeshjeve të programuara të zhvillohen në Irlandë do të luhen në Rusi, kurse takimi për 1/8-at e finaleve në Londër.
Roma gjithashtu ka konfirmuar se në “Olimpico” do të lejohen tifozë në ndeshjet e EURO 2020, kurse në Mynih autoritetet lokale në Gjermani do të lejojnë të luhen ndeshje me 14500 tifozë të pranishëm.