UEFA zgjedh vendet mikpritëse për ‘Euro 2028’ dhe ‘Euro 2032’
UEFA ka konfirmuar zyrtarisht të martën se Kampionati Evropian i vitit 2028 do të organizohet nga Mbretëria e Bashkuar dhe Republika e Irlandës, ndërsa “Euro 2032” nga Italia dhe Turqia në një kandidaturë të përbashkët.
Në mbledhjen e mbajtur në selinë e UEFA-s në Zvicër, Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s ka caktuar federatat pritëse për “Euro 2028” dhe “Euro 2032”.
Kështu, organizimin e “Euro 2028” e kanë fituar Mbretëria e Bashkuar dhe Republika e Irlandës. “‘Euro 2028’ do të zhvillohet në Mbretërinë e Bashkuar dhe Republikën e Irlandës! Vendet e propozuara përfshijnë Belfast, Birmingham, Cardiff, Dublin, Glasgow, Liverpool, Londër (x2) Manchester dhe Newcastle”, thuhet në njoftimin e UEFA-s. Përveç kësaj, UEFA konfirmoi gjithashtu se kandidatura e përbashkët e Italisë dhe Turqisë ka fituar organizimin e “Euro 2032”.
“Urime Italisë dhe Turqisë, bashkë-pritëse të ‘Euro 2032’! Ofertuesit e përbashkët prezantuan 20 stadiume të mundshme pritëse, nga të cilat 10 do të zgjidhen, pesë për shtet, deri në tetor 2026”, thuhet në njoftim.