Ugljanin: Duam të përfshihemi në bisedime për Veriun e Kosovës
Kryetari i Këshillit Kombëtar të Boshnjakëve të Sanxhakut, Sulejman Ugljanin, ka bërë të ditur se boshnjakët duan të jenë pjesë e bisedimeve në mes të Kosovës dhe Serbisë.
Ugljanin ka potencuar kërkesën për diskutim në lidhje me veriun e Kosovës.
“Kërkoj që në këto bisedime të përfaqësuesve të Serbisë edhe të Kosovës, që të jemi të përfshirë si palë e barabartë, të diskutojmë rreth zgjidhjes së çështjes së Veriut të Kosovës, vend ku me shekuj kanë jetuar boshnjakët. Edhe ne kemi të drejtë të përfshihemi në diskutimet për Veriun e Kosovës”, ka deklaruar Ugljanin në “Info Magazine” të “Klan Kosovës”.
Ugljanin ka thënë së çështja e boshnjakëve në Sanxhak mbetet e pazgjidhur, përderisa ka përmendur edhe boshnjakët në Veri të Kosovës.
“Boshnjakët e Sanxhakut janë popull autokton. Në Sanxhak kriza jugosllave nuk është zgjidhur, nuk është zgjidhur statusi i Sanxhakut. Ndërsa me zgjidhjen e Kosovës është bërë krim në lagjen e boshnjakëve në pjesën veriore të Mitrovicës. Nuk është zgjidhur çështja e lagjes së boshnjakëve, e nuk është ofruar zgjidhje as për pjesët tjera të Mitrovicës Veriore”, ka shtuar ai.