Ujësjellësi dërgon borxhlinjtë te përmbaruesit privat
Kompania Rajonale e Ujësjellësit ‘Prishtina’ nëpërmjet një komunikate për medie ka bërë me dije se ka formuar komisione të veçanta për verifikimin dhe dërgimin e lëndëve të konsumatorëve borxhlinj tek përmbaruesit privat.
“Përveç aplikimit masiv të shkyçjeve individuale nga sot lëndë të shumta të konsumatorëve borxhlinj do të procedohen tek përmbaruesit”, është theksuar në komunikatën e dërguar nga ujësjellësi.
Përveç konsumatorëve që kanë obligime të pashlyera ndaj shërbimeve të ujësjellësit dhe kanalizimit tek përmbaruesit do të shkojnë edhe konsumatorët të cilët kanë përfituar nga Ligji për Faljen e Borxheve Publike dhe të cilët nuk u janë përmbajtur kontratave të nënshkruar nga të dyja palët.
“Borxhi total ndaj shërbimeve të ujësjellësit dhe kanalizimit është mbi 40 milionë euro. Nga Ligji për Faljen e Borxheve Publike kanë përfituar mbi 52 mijë konsumatorë, ku një pjesë e konsiderueshme e tyre nuk iu janë përmbajtur marrëveshjes kontraktuare”, është thënë më tutje në këtë komunikatë.