Ujësjellësi kërkon nga konsumatorët kursim të ujit
Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina”, ka njoftuar të hënën se në ditët e fundit kanë filluar të rriten shumë kërkesat për ujë të pijshëm. Sipas KRU Prishtina, niveli i ujit në liqenin e Batllavës është 8.15 metra nën kuotën maksimale, ndërsa niveli i ujit në liqenin e Badocit është 10.55 metra nën kuotën maksimale.
“Ujësjellësi ka bërë thirrje për kursim të ujit, ndërsa ka dhënë disa këshilla rreth përdorimit të tij. KRU Prishtina ka përsëritur se uji i pijes nuk duhet të përdoret për të larë veturat, për të rrjedhur kot, për ndërtime në qytet, për pastrimin e trotuareve, për të ujitur kopshtet e arat. Ujësjellësi po ashtu kërkon që të paguhet uji që shpenzohet dhe mos të lejohen ndërhyrje pa leje në rrjetin e ujësjellësit“, thuhet në njoftimin e “KRU Prishtina“. (A. M / Epoka e re)