Ujësjellësi njofton konsumatorët borxhlinj për aksionin e ndërprerjes së ujit
Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” ka njoftuar konsumatorët nga Prishtina, Fushë Kosova, Lipjani, Podujeva, Obiliqi, Shtime, Drenasi dhe Graçanica, se aksioni për shkyçjen e ujit ndaj borxhlinjve është duke vazhduar me intensitet të lartë.
Sipas ujësjellësit, konsumatorët kanë obligim ligjor që të paguajnë faturat si dhe borxhin e akumuluar të ujit të shpenzuar dhe nëse nuk reflektojnë brenda muajit, kompania është e detyruar të ndërmerr masat ndëshkuese ligjore, bazuar në ligjet në fuqi.
“Ujësjellësi i kryeqytetit falënderon të gjithë konsumatorët për pagesa të shërbimeve të ujësjellësit dhe kanalizimit dhe fton urgjentisht secilin prej tyre, që të jenë sa më të rregullt në pagesa, sepse vetëm në këtë mënyrë mund t’u shmangen ndëshkimeve të kompanisë, gjegjësisht ekipeve të shkyçjes dhe procedimit të lëndëve te përmbaruesit privat”, është thënë në njoftimin e kësaj kompanie.
/Epoka e re/