Ujësjellësi: Për katër muaj, mbi 700 shkyçje
Kompania e Ujësjellësit Rajonal “Prishtina” ka njoftuar se prej 25 janarit të këtij viti kur ka nisur me shkyçjen e borxhlinjve, ka arritur t’i shkyç nga rrjeti 700 konsumatorë.
“Brenda katër muajve janë realizuar mbi 700 shkyçje nga sistemi i rrjetit të ujësjellësit, janë vizituar mbi 3 000 konsumatorë borxhlinj dhe janë dërguar te përmbaruesit privat rreth 1 200 lëndë të konsumatorëve që nuk janë të rregullt ndaj shërbimeve të ujësjellësit. Veç në muajin prill 2018 janë shkyçur 170 konsumatorë”, është thënë në njoftimin e Ujësjellësit Rajonal “Prishtina”.
Në shkyçje janë të përfshira tetë komunat në të cilat operon KRU “Prishtina” si: Prishtina, Fushë Kosova, Obiliqi, Podujeva, Shtimja, Drenasi, Lipjani dhe Graçanica, me fshatra përreth.
Aksioni do të vazhdojë deri në fund të këtij viti.
Kompania e Ujësjellësit Rajonal “Prishtina” ka njoftuar se ky aksion do të vazhdojë. Sipas kësaj kompanie borxhi i konsumatorëve është mbi 50 milionë euro.
/Epoka e re/