Ujësjellësi Rajonal “Prishtina” intervenon në eliminimin e ujërave në teatër dhe bibliotekë
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, ka takuar të premten kryeshefin ekzekutiv të Kompanisë së Ujësjellësit Rajonal “Prishtina”, Ilir Abdullahu, me të cilin ka biseduar për problemet e fundit me të cilat janë përballur Teatri Kombëtar dhe Biblioteka Kombëtare nga ujërat e zeza në hapësirat e nëndheshme të tyre.
Gashi dhe Abdullahu u pajtuan për të koordinuar veprimet për eliminimin e problemeve që kanë këto dy institucionet në objektet e tyre.
Ministri Gashi e ka falënderuar menaxhmentin e ujësjellësit për reagimin e shpejtë dhe gatishmërinë e treguar. “Dua të shfrytëzoj rastin t’u falënderoj për intervenimin e shpejtë që keni bërë në eliminimin e ujërave gjatë ditës së sotme”, ka thënë Gashi.
Ai ka kërkuar nga drejtuesit e kompanisë së ujësjellësit që të bashkërisht të zhvillojnë një projekt për eliminimin e rrezikut që shkakton depërtimi i ujërave në këto dy institucione kombëtare të kulturës, me ç’rast të dy u pajtuan të harmonizojnë veprimet. “Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit mbetet e përkushtuar që të ndajë buxhet shtesë për zgjidhjen e kësaj problematike”, u shpreh mes tjerash ministri Gashi.
Ndërsa, kryeshefi i kompanisë, Ilir Abdullahu, shfaqi gatishmërinë dhe mbështetjen e plotë të Ujësjellësit Rajonal “Prishtina” që bashkërisht me institucionet, ministrinë dhe komunën t’i koordinojnë veprimet dhe të sanojnë gjendjen e tanishme.