Uji i amullt

09 shkurt 2022 | 13:43

Poezi nga Avni Azizi

Uji i amullt

Qëkur nën thonjëza e vëmë jetën
Më mirë të mos themi asgjë për ujin
Të mos flasim për kuptimin e dritës
Mendimet e hutuara në sy të zjarrtë
Qëllimet me dëshira t’i ngatërrojmë

Kur brenda dy hemisferave tona
Deri në dhimbje endet moskuptimi
Hija e lodhur na përkulet nga përroi
Dhe për njëqind rreze të spikatura
Keqas krijojmë një mijë mosbesime

Erërat shkasin si tinguj të mbytur
Ngrehin kaosin si një egërsi kryeneçe
Dhe rrezet nëpër gjethe tundohen
Bien si degët e thara të pemëve
Buqeta të forcës e të shpresës

Stuhia e padukshme shtynë mënjanë
Motin e mirë dhe gjithë lulet e gjalla
Ëndrrat e buta digjen deri në palcë
Dhe koha bie si dardhët në kopsht
Mbi barin në ditët e fundit të verës

Ekziston një klithmë për shpirtrat
Që tremb edhe eklipsin e profecisë
Po njerëzit janë krijesa të çuditshme
Janë të gatshëm të krijojnë fabula
Vogëlsira dhe stisje të mërzitshme

Pika e mbështetjes

Arkimedi i urtë mbrojtësi i Sirakuzës
Ky gjeni modest i llogaritjeve dhe dijes
Thoshte se përmbys lehtësisht edhe botën
Sikur ti jepnin veç një pikë të mbështetjes

Arkimedët e mbështetur nëpër ditët tona
Të ulur nëpër frone të rrethuar në flluska
Duhet mësuar se sa më thellë që ata zhyten
Është populli ai që del nga vaska

Guri i Sizifit

Guri i Sizifit është thjeshtë njeriu
Shtyjmë njëri-tjetrin gati një shekull
Dhe vjen një kohë kur edhe kuptojmë
Cilin duhet ngritur e cilin rrokullisur

Mësim

Shpatit të ditës deri në atë të natës
Jam rrokullisur nga trungu në trung
I dërmuar kam rënë në përroin e jetës
Siç bie pas betejës një heshtje e rëndë

Në zemër sikur më flinte një copë akull
Dhe dëgjoja një kërcitje të fortë bore
Në muzg sikur më rritej një shkurre
Pushtuar nga acari me mijëra kristale

Nga plagët mësova forcën e ngritjes
Nga hiri i yjeve kuptova çdo moment
Dhimbja ma mësoi rrokullisjen e shiut
Kur bie dendur dhe kur derdhet mprehtë

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ka shprehur shqetësim për rritjen…