Uji nga liqeni i Badocit, ende i papijshëm
Mangani, një element kimik i dëmshëm për organizimin e njeriut, edhe më tej është prezent në ujin e liqenit akumulues të Badocit. Nga kompania e ujësjellësit deklarojnë se gjendja po shkon drejt përmirësimit, por Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike rikujton se uji mund të përdoret për gjëra të tjera, por jo për konsum.
Banorët e lagjes Mati 1 në kryeqytet janë ankuar që gjatë javës kanë pasur reduktime të ujit. Ata kanë thënë se përveç reduktimit edhe nuk po e përdorin ujin.
Zëdhënësja e KRU Prishtina, Arieta Mjeku, tha se nuk kanë ankesa për mosfurnizim në këto lagje.
“Këto lagje, si lagjet e tjera të Badocit, kanë mungesë uji sepse e kemi zvogëluar kapacitetin e prodhimit nga 480 l/s në 180 l/s për ta ruajtur cilësinë e ujit. Ne po shpërndajmë ujë të pijshëm me autobote në të gjitha zonat e prekura”, tha ajo.
Ndërkohë, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike njofton se është duke vazhduar monitorimin dhe përcjelljen në vazhdimësi të cilësisë së ujit në Liqenin akumulues të Badocit.
Instituti deklaron se nuk ka vend për panik.
Nga IKSHPK-ja njoftuan se analizat e fundit laboratorike tregojnë se akoma nuk janë arritur standardet e përcaktuara në udhëzimin administrativ, derisa njoftoi qytetarët që furnizohen nga Liqeni i Badocit se uji mund të përdoret për pastrim, mirëmbajtje të higjienës dhe ambienteve të banimit, si dhe për nevoja të tjera.
Instituti deklaron se uji nuk duhet të vlohet para përdorimit për shkak të mundësisë së koncentrimit të manganit.