Ujkani: Do të bëjmë ashtu siç na kërkon trajneri
Kosova do të luajë dy sfida të mëdha kualifikuese për Euro 2020, me Çekinë në Plzen dhe me Anglinë në “Fadil Vokrri”. Misioni duket tepër i vështirë por, jo i pamundur për t’u arritur. Veterani Samir Ujkani, në konferencën për shtyp të hënën në mbrëmje, theksoi se fokusi duhet të jetë vetëm tek përballja e së enjtes. “Ne po shohim ndeshjen e së enjtes, që është një finale për ne. Atje duhet patjetër ta japim maksimumin dhe të marrim rezultat maksimal. Duhet t’i marrim pikët për ta bërë ëndrrën realitet, ky është qëllimi ynë. E dimë që nuk do të jetë aspak e lehtë. Kemi fatin që në muajin mars të kemi edhe një rast tjetër për t’u kualifikuar, por ne duhet të mendojmë vetëm për ndeshjen e së enjtes, për ta marrë rezultatin që na vlen”, ka theksuar Ujkani.
Në Plzen nuk parashikohet një pritje miqësore nga tifozët vendës, por Ujkani këmbëngul se futbollistët e Kosovës nuk duhet ta harxhojnë energji dhe të shpërqendrohen nga ato që mund të ndodhin në tribuna. “Stresin e kanë çekët, sepse luajnë në shtëpinë e vet. U vlejnë ndoshta të dy rezultatet, fitorja dhe barazimi, por ne duhet të bëjmë atë që do të na thotë trajneri, duke vijuar me këtë ritëm dhe me pozitivitetin që kemi brenda grupit. Tani se çfarë do të ndodhë në fushë do ta shohim, ka pjesë edhe fati. Ndërsa se çfarë mund të ndodhë jashtë fushës, nuk mund ta mendojmë. Nuk duhet të harxhojmë energji në këtë pikë”, ka shtuar Ujkani.