Ujkani: Partitë politike duhet të kenë një pako të veçantë për investitorët e huaj

25 janar 2021 | 10:50

Drejtori Ekzekutiv i Këshillit të Investitorëve Evropianë, Emrush Ujkani, ka thënë se në kuadër të rimëkëmbjes ekonomike, Kosova duhet ta ketë edhe një pako të veçantë për tërheqjen e investitorëve të huaj. “Krahas planprogramit për rimëkëmbje ekonomike duhet ta kemi një ‘special window’ (dritare të veçantë) për tërheqjen e investitorëve dhe mbrojtjen e atyre ekzistuese, pasi janë duke u penguar që ta zhvillojnë aktivitetin ekonomik. Andaj, duhet të ketë planifikim të mirë që në kuadër të rimëkëmbjes ekonomike të kemi edhe investitorë të rinj”, ka thënë Ujkani në këtë bisedë për “Epoka e re”. Ai ka theksuar se rritja e tarifave të energjisë elektrike është disfavorizuese për investitorët e huaj madje, sipas tij, ka kërcënime se për këtë mund të ketë largim të investitorëve

Albulena S. MAVRAJ

Deri më tani Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) kanë paraqitur programet e tyre parazgjedhore sa i përket rimëkëmbjes ekonomike. Një gjë të tillë ende nuk e ka bërë Lëvizja Vetëvendosje e cila drejtohet nga Albin Kurti. Lidhur me këtë, drejtori ekzekutiv i Këshillit të Investitorëve Evropianë, Emrush Ujkani, në këtë bisedë për gazetën “Epoka e re” ka thënë se në kuadër të rimëkëmbjes ekonomike, Kosova duhet ta ketë një pako të veçantë sa i përket tërheqjes së investitorëve të huaj. Ai ka thënë se çfarëdo plani të rimëkëmbjes ekonomike që mund të kemi, nuk mund të konsiderohet i barasvlershëm me rimëkëmbjen ekonomike nëse, sipas tij, nuk “i kemi në fokus investitorët e huaj dhe mbajtjen e investitorëve aktualë”. “Krahas planprogramit për rimëkëmbje ekonomike, duhet ta kemi një ‘special window’ (dritare të veçantë) për tërheqjen e investitorëve dhe mbrojtjen e atyre ekzistuese, pasi janë duke u penguar që ta zhvillojnë aktivitetin ekonomik. Andaj, duhet të ketë planifikim të mirë që në kuadër të rimëkëmbjes ekonomike të kemi edhe investitorë të rinj. Jemi vendi që gjendemi në pozitën e fundit në rajon sa iu përket investitorëve të huaj dhe këto pengesa vetëm sa do ta rëndojnë situatën dhe pa marrë parasysh çfarë planprogrami ekonomik mund të kemi, një rast i tillë i largimit të investitorëve të huaj e themi në mënyrë hipotetike është shumëfish më shumë sesa çfarëdo plani që mund ta përgatitin partitë politike. Dhe kjo është mbi çdo planifikim tjetër”, ka thënë Ujkani. Po ashtu, ai ka theksuar se nga tani duhet të mendohet fundi apo pragu i kalimit të pandemisë, më pas shfaqet nevoja imediate e rimëkëmbjes ekonomike. “Do të duhej që në kuadër të planprogrameve të partive ekonomike, çështjen e tërheqjes së investitorëve të huaj ta trajtojnë si një dritare të posaçme që i targeton dhe bën përpjekje t’i tërheqë investitorët e huaj. Ne nuk duhet harrojmë një fakt se në momentin që të kalojë apo të jemi në prag që të kalojë pandemia Covid-19, do të krijohet një oportunitet i ri, e që nënkupton se duhet të kemi prioritet edhe tërheqjen e investitorëve të ri, pasi raportet të cilat ekzistojnë në mes të Perëndimit dhe Kinës janë duke e bërë të domosdoshme nevojën që të kërkohet mundësia edhe për tregje të reja. Rrjedhimisht, ne duhet të jemi të kujdesshëm dhe të jemi të matur që krahas asaj që do të ndodhë në saje të rimëkëmbjeve ekonomike, të jemi edhe ne të përfshirë”, ka thënë ai.

Më tutje, Ujkani ka folur edhe për sfidat e investitorëve të huaj, me ç’rast ka theksuar se rritja e tarifave të energjisë elektrike është disfavorizuese për investitorët e huaj madje, sipas tij, ka kërcënime se për këtë mund të ketë largim të investitorëve. “Rritja e tarifave të energjisë elektrike është një ndër problemet e targetuara dhe shqetësuese për investitorët e huaj. Hyrja në fuqi e tarifave të reja do të jetë e papërballueshme për një pjesë të bizneseve dhe automatikisht s’po flasim më për atraksion, por po flasim për ato që janë pengesa dhe duhet që menjëherë të eliminohen. Po flas pas periudhës janar-maj, që mund të jenë tarifa të reja në kuadër të asaj që është komuniteti për energji në Vjenë dhe ajo që është energji e ripërtërirë, e që parashihet të ketë rritje. Nuk jam ekspert i kësaj fushe, por i di kërkesat e anëtarëve e që kërcënojnë edhe me largim nga vendi. Prandaj, kjo është shqetësuese dhe do të duhej të ishte shqetësuese edhe për institucionet”, ka thënë Ujkani.

Ndërsa sa iu përket planprogrameve ekonomike të tri partive, LDK-së, PDK-së dhe AAK-së, Ujkani ka thënë se programet e rimëkëmbjes ekonomike, nuk duhet t’u ngjajnë skemave sociale. “Planet që i kanë prezantuar të tri partitë politike deri më tani, LDK-ja, PDK-ja dhe AAK-ja, lidhur me zhvillimin ekonomik dhe rimëkëmbjen pas pandemisë, mendoj se ka nevojë të punohet më tepër dhe të jenë plane më të detajuara. Ka nevojë për një qasje më gjithëpërfshirëse dhe duhet të ngërthehet jo vetëm ajo çfarë është mundësi ekonomike apo buxhet nacional i vendit tonë, por këtu duhet edhe të bëhen përpjekje që të shfrytëzohen mekanizma të ndryshëm financiarë, qoftë ata që janë nën ombrellën e Bashkimit Evropian, qoftë nga mekanizma të tjerë me qëllim që të ketë një përgatitje adekuate, në mënyrë që ajo çfarë trajton rimëkëmbja ekonomike mos të trajtohet si skemë sociale. Çfarë kemi parë deri më tani më shumë ka qenë një formë e tillë, e jo një qasje e cila e adreson në fundament atë që është rimëkëmbje ekonomike dhe rikthimin e sektorit privat aty ku ishte para një viti”, ka deklaruar Ujkani, duke shtuar se në kuadër të ndërrimit të shpeshtë të qeverive, nuk kishte vendimmarrje efektive. “Prandaj, programet e këtyre partive nuk është që kanë qenë shumë transparente. Programi i LDK-së vijon nga aty ku e kanë lënë vetë, pra nga dhjetori i vitit që lamë pas, por mendoj se duhet të ketë një transparencë më të madhe. Ne urojmë se cilado qeveri që vjen ta ketë guximin që të marrë vendime të leverdishme për bizneset dhe t’i shtyjë përpara proceset zhvillimore. Në vitin që lamë pas kishim tri lloje të qeverisë: atë të Haradinajt, të Kurtit dhe të Hotit, dhe e dini shumë mirë se s’kishte vendimmarrje efektive gjatë asaj periudhe, gjë që ka lënë shumëçka për t’u dëshiruar”, ka thënë Ujkani.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Komuna e Suharekës ka përfituar 140 mijë e 800 euro…