Ujkani: Pritja e ‘Dardanëve’ me emocionoi dhe nderoi
Ish-portieri i Kosovës, Samir Ujkani debutoi si zëvendësdrejtor i Përfaqësueses së Kosovës në sfidën me Izraelin.
Një pritje e ngrohtë atij iu rezervua edhe nga grupi i tifozëve “Dardanët” të cilat në tribuna shpalosën banerin duke e falënderuar atë për kontributin e dhënë.
Ujkani ka reaguar në “Facebook” ku ka thënë se debutimi si zëvendësdrejtor si dhe pritja e tifozëve i dhanë shumë emocione atij në stolin e “dardanëve”.
“Mbrëmë nisa një rrugë të re në karrierën time në futboll. Për herë të parë isha në bankën e Përfaqësueses së Kosovës, jo si futbollist por në një pozicion tjetër, prandaj emocionet ishin të mëdha e të jashtëzakonshme. Mbrëmja u bë edhe më e veçantë nga nderimi që mora nga tifo-grupi ynë ‘dardanët’ të cilët dua t’i falënderoj përzemërsisht. Fitorja ndaj Izraelit e bëri më të ëmbël ‘debutimin’ tim në një rol tjetër, prandaj do ta mbaj në mend përgjithmonë. Në fund dua që edhe njëherë t’ i falënderojë të gjithë futbollistët e ekipit kombëtarë për sakrificën, angazhimin, punën dhe triumfin e përbashkët. Sfida të reja na presin të gjithëve së bashku! Përjetësisht mirënjohës”, ka shkruar Ujkani.