Ujmani në marrëveshjen e Uashingtonit, LV-ja paralajmëron padi në Kushtetuese

11 shtator 2020 | 11:34

Lëvizja Vetëvendosje (LV) ka thënë se pika e Ujmanit në marrëveshjen e nënshkruar në Uashington përbën shkelje kushtetuese, prandaj edhe ka paralajmëruar se do ta dërgojnë në Gjykatë Kushtetuese.

Liburn Aliu ka thënë se ekipi i juristëve të kësaj partie janë duke i mbledhur faktet dhe përpiluar padinë për Gjykatë Kushtetuese.

Po ashtu, ai ka thënë se qeveria e Avdullah Hotit duhet të bie sa më parë që të mos ketë më marrëveshje të tilla të dëmshme ku Serbia merr hise në Kosovë.

“Në atë dokument thuhet se Kosova dhe Serbia pajtohen për studim të fizibilitetit për liqenin e Ujmanit. Pra sipas këtij dokumenti Serbia do të pranohet si hisedare në Ujman. Kjo përbën hapjen e një dere të madhe të Serbisë në Kosovë, këtë derë që Serbia me presion synon ta hapë për të qenë bashkëpronare për secilin pronë. Por, këtë e arriti me palën kosovare në Uashington. Ky është precedent i rrezikshëm që synon shkatërrimin e Kosovës”.

“Kjo është në kundërshtim me Kushtetutën, ku integriteti territorial janë elemente themelore edhe të veçanta të ekzistimit të Kosovës. Me Kushtetutë pasuritë nuk mund të përvetësohen apo kontrollohen nga shtete tjera, përfshirë edhe Ujmanin”.

“Neni 121 i Kushtetutës ku rregullon pronën, asnjë paragraf nuk pranon që të bartet në një shtet, e aq më pak të kontrollohet në pushteti serb. Mund të shtrohet pyetja legjitime si do të ndahet ai. Si mundet të ndahet kur rrjedha e lumit është në drejtim të Kosovës? A do t’i lejohet qasje deri te diga që është në territorin e Kosovës? Pra kjo është zhvendosje e kufirit apo ne do t’i paguajmë haraç Serbisë?”, ka thënë Aliu.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Trembëdhjetë organizata të shoqërisë civile që kanë themeluar platformën për…