Uk Lushi: Albin Kurti, mos u bëj matrapaz!
Ish-ushtari i UÇK-së dhe aktivisti shqiptar në Amerikë, Uk Lushi, ka kritikuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti pas pajtimit të këtij të fundit për ta shtyrë përpara marrëveshjen për energjinë me Serbinë, të cilën në vitin 2015 e kishte kundërshtuar.
Lushi ia përmendi Kurtit edhe rrëzimin nga qeveria.
“Retorika jote nuk kalon dhe nuk do ta pranojmë. Ne duam që të kesh suksese sepse suksesi yt është i yni. Por, nëse vazhdon me hedhje hiri në sytë tonë, do të të rrëzojmë aq shpejt sa do të habitesh!”, ka shkruar Lushi në llogarinë e vet në “Facebook”.
Postimi i plotë i Lushit:
Albin Kurti, mos u bëj matrapaz!
Nëse diçka është e keqe mos e nënshkruaj. Mos e dëmto me dorën tënde interesin dhe të ardhmen e shqiptarëve.
Mos shit dokrra retorike. Të kemi vendosur në krye të ndryshosh gjërat dhe t’i bësh më mirë. Nuk mundesh, e pakta dorëhiqu me nder. Patrioti kur nuk mundet, jep dorëheqje. Nëse e di që diçka është e dëmshme dhe po e nënshkruan ti je më i keq se ata që bëjnë gabime dhe dëme nga padijenia.
Mjaft me tentim justifikime duke shfrytëzuar vetëm të tjerët dhe vendimet e tyre. Je në pushtet dhe qeveris e merr vendime që janë të mira për vendin dhe shqiptarët. Nuk mund merr kreditin vetëm për vendime që, sipas teje, janë të mira. Duhet të marrish edhe përgjegjësinë për vendime të vështira. Ose mos i merr.
Retorika jote nuk kalon dhe nuk do ta pranojmë. Ne duam që të kesh suksese sepse suksesi yt është i yni. Por, nëse vazhdon me hedhje hiri në sytë tonë, do të të rrëzojmë aq shpejt sa do të habitesh!