Ukaj: Kam synime të mëdha në basketbollin amerikan
Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë disa lojtarë/e të Kosovës që po paraqiten me sukses. Një ndër ta është edhe talenti Rron Ukaj. Basketbollisti pejan me Kosovën U-18 më 2018 kishte fituar Kampionatin Evropian, Divizioni C, ku ishte shpallur MVP i Evropianit. Ai ka luajtur për Kosovën U20 dhe është grumbulluar nga Përfaqësuesja e Kosovës A.
Ukaj flet për karrierën e vet në ShBA. “Që një vit kam ardhur në Amerikë për të luajtur basketboll në kolegj. Viti i parë ishte paksa i vështirë në fillim, sepse dallon basketbolli amerikan nga ai evropian. Në vitin e parë kam luajtur në D1 Junior College ose NJCAA në Southeastern Community College në Iowa. Ishte një edicion i mirë si për skuadrën, po ashtu edhe për mua. Pas vitit të parë kam marrë ofertë nga Eastern Florida State D1 ‘NJCAA’ që është një ndër 5 Junior College më të mira në ShBA dhe kam vendosur të shkoj të luaj aty”, ka thënë Ukaj.
“Synimi im pas këtij viti është të dal në D1 NCAA dhe me punë e përkushtim do ta arrij këtë qëllim. Të luaj për Kosovën është nder dhe përgjegjësi e madhe, sepse je duke përfaqësuar shtetin tënd në arenën ndërkombëtare”, është shprehur Ukaj për faqen zyrtare të FBK-së.
(V.Z / Epoka e re)