Ukë Osaj i hynë garës për deputet, ky është mesazhi i tij
Kandidati i AAK-së për deputet në zgjedhjet e 14 shkurtit, Ukë Osaj, ka vazhduar aktivitetet me qytetarë.
Ai ka takuar banorët e Kodralisë, fshat i cili gjatë vitit 1998 ka qenë strehë e shumë familjeve të shpërngulura nga qyteti i Deçanit me rrethin.
“Kandidimi im në këto zgjedhje është një përvojë e mirë dhe kënaqesi shtesë të marrë ide, mendime dhe të njoftohem me problemet e bashkëvendasve të mi”, ka shkruar Osaj në llogarinë e vet në “Facebook”.
“Me dhënien e besimit permes votes për kandidaturen time, krijohet një mundësi për të dyja palët, në angazhimin tonë të përbashkët në ndërtimin e një shoqërie më të mirë, më të begatë dhe më kreative. Shoqëri ku secili individ-personalitet do t’i jepet mundesia të japë më të mirën e mundshme në ndërtimin dhe përmirësimin e të ardhmes sonë dhe të fëmijëve tanë”, ka shkruar kandidati për deputet, Ukë Osaj, i cili mban numrin 68 në listën e AAK-së në zgjedhjet e 14 shkurtit.
Ai ka theksuar se kandidimi i tij për deputet në kuadër të listës së Aleancës për Ardhmerinë e Kosovës, është bazuar në tri elemente kryesore: Siguria kombëtare, zhvillimi ekonomik, dhe e ardhmja.
“Këto janë koncepte bazike të cilat përputhen me lidershipin e AAK-së dhe z. Ramush Haradinaj që ka dëshmuar këto cilësi ndër vite”, ka thënë Osaj.
Ai ka pohuar se Kuvendit të Republikës së Kosovës duhet t’i kthehet respekti dhe dinjiteti.