Ukëhaxhaj: Synimi im ishte ngritja e vetëdijes kombëtare te nxënësit

12 nëntor 2018 | 15:50

Profesori dhe veprimtari i çështjes kombëtare, Hasan Ukëhaxhaj, në këtë intervistë dhënë gazetës “Epoka e re” flet për vitet e fëmijërisë dhe rinisë së vet, për punën prej profesori të gjuhës dhe letërsisë shqipe, për veprimtarinë politike në kuadrin e lëvizjes ilegale, për protestat e vitit ’81, për bashkëpunimin me të ndjerin Adem Demaçi, për vuajtjen e dënimit me burg prej dhjetë vjetësh dhe për emërimin e tij zëvendësministër i Arsimit në Qeverinë e Përkohshme të udhëhequr atëkohë nga Hashim Thaçi.

Ukëhaxhaj ka treguar se, përveç përpjekjes për t’i pajisur nxënësit me njohuri sa me të gjëra nga fusha që e mbulonte lënda Gjuhë dhe Letërsi Shqipe, synim në atë kohë kishte ngritjen e vetëdijes kombëtare te nxënësit

Epoka e re”: A ju kujtohet, në këtë moshë, diçka nga fëmijëria dhe vitet e rinisë suaj?
Ukëhaxhaj: Nga e para, pak e mbaj në mend ’47-shin, kur pushtetarët ua patën zbrazur koshat e drithit fshatarëve, pra edhe familjes sime, për t’i ushqyer edhe kolonët e vjetër e të rinj. Aksioni më është rrënjosur në kujtesë edhe nga kujtimet e njerëzve që e kishin përjetuar më thellësisht, bashkë me përpjekjet që i kishin bërë për ta përballuar atë vit zie, siç e quanin ata. E mbaj mend edhe mësuesin e parë, emrin e të cilit edhe mund ta kisha harruar, sikur të mos ndodhte diçka që do ta them më poshtë. Edhe aksioni për mbledhjen e armëve ishte i paharrueshëm edhe për fëmijët e klasave të para të shkollës fillore. Në çdo familje vërehej ankthi të cilin të rriturit e shprehnin kryesisht me pëshpëritje. Emrin e Adem Demaçit e mësova kur ia lexova romanin “Gjarpërinjtë e gjakut” që ia kishte dhënë një shok i klasës së tij dajës tim Zenun Gjocajt, i cili që nga ato vite qe dhe mbeti pjesë e familjes sonë. Ndërkaq, në mëngjesin e një dite të vjeshtës së ‘63-s e dëgjova bisedën e dy nxënësve nga Gjakova të cilët i vijonin mësimet në shkollën ekonomike në Pejë, pra gjatë udhëtimit me autobus, se në mesin e të arrestuarve ishin edhe Hasim Vula dhe Kadri Kusari. I pari ishte mësuesi im, të cilin e përmenda më sipër, ndërkaq për të dytin dëgjoja nga bashkëvendësit e mi që vijonin mësimet në Normalen e Gjakovës. Mësuesi im i parë, ndonëse nuk e pashë kurrë më, mbeti i pashlyeshëm në kujtesën time e të dytin e takova për herë të parë e të fundit në shtëpinë e një shoku, i cili sapo kishte filluar të punojë në Gjimnazin “Vëllezërit Frashëri” në Deçan. Për vdekjen e tij mësova në burgun e Nishit. Duhet t’i kthehemi shkollimit të mesëm për të theksuar se në verën e vitit ’63 i patën larguar nga procesi mësimor dy mësimdhënësit e gjimnazit të Pejës: Riza Bicaj dhe Rexhep Podrimen. Edhe ky akt i pushtetit të atëhershëm nuk mbeti pa lënë gjurmë në botën time shpirtërore, sepse si njëri, ashtu edhe tjetri përpiqeshin për t’i ndërgjegjësuar nxënësit në aspektin kombëtar.

“Epoka e re”: Cilët janë hapat e tjerë pasi që e kryet gjimnazin?
Hasan Ukëhaxhaj: Punova mësues i klasës së katërt fillore në të njëjtën shkollë ku e kreva tetëvjeçaren. Pastaj u regjistrova në Fakultetin Filozofik të Prishtinës – Dega Gjuhë dhe Letërsi Shqipe. Pasi i kreva dy vjetët e para, fillova të punoj në Shkollën Fillore “Drita” të Gramaçelit, njëkohësisht i vazhdoja studimet e shkallës së dytë. Në majin e vitit 1971 i kreva studimet dhe në shtator e fillova punën në Gjimnazin “Vëllezërit Frashëri” të Deçanit.

“Epoka e re”: A mund të na përshkruani veprimtarinë tuaj në arsimin fillor dhe të mesëm?
Hasan Ukëhaxhaj: Së pari duhet thënë se mësuesit që punojnë me nxënësit e katër klasave të para të shkollës fillore përballen me vështirësi objektive, sepse asnjëri nuk mund të jetë i përgatitur njësoj për të gjitha lëndët e parashikuara me program. Prandaj, po them pa kurrfarë ngurrimi, se nuk kam mundur t’i përgatis nxënësit si në lëndën e gjuhës shqipe, të historisë apo të gjeografisë edhe në lëndën e muzikës, të vizatimit e të ndonjë tjetre. Dhe nuk jam brengosur duke shpresuar se të tjerët me përgatitjen adekuate do t’i plotësojnë zbrazësitë e mësuesit. Ndërkaq, në shkollën fillore të Gramaçelit lëndën Gjuhë e letërsi shqipe ua mësova nxënësve nga klasa e gjashtë deri në të tetën. Siç e thashë më lart, në vitin shkollor 1971/72 fillova të punoj në Gjimnazin “Vëllezërit Frashëri” të Deçanit. Që nga fillimi e derisa u arrestova, pas një dekade, kam punuar me përkushtim profesional e kombëtar që t’i edukoj dhe t’i arsimoj në të dy drejtimet e theksuara. Kur u vendosëm në objektin e ri vendosa që organeve drejtuese të shkollës t’ua shpreh gatishmërinë time për të punuar në bibliotekë pa kurrfarë kompensimi material. Përveç përgjigjes pozitive m’u dha edhe autorizimi për ta pajisur bibliotekën me titujt dhe ekzemplarët e mjaftueshëm sipas planprogramit të gjuhës shqipe. Vitet e ’70-ta për Kosovën dhe viset e tjera shqiptare në Jugosllavi përbëjnë një kapitull të veçantë sa i përket zhvillimit të arsimit, shkencës dhe kulturës në përgjithësi falë bashkëpunimit midis Kosovës dhe Shqipërisë. Prandaj, krahas institucioneve të tjera, edhe shtëpia botuese “Rilindja” e kreu misionin e vet në mënyrën më të mirë të mundshëm: i botoi dhe i ribotoi të gjitha veprat e shkrimtarëve të traditës dhe të atyre bashkëkohorë, të Kosovës dhe të Shqipërisë, prandaj edhe unë kisha pse t’ia mësyj asaj shtëpie. Përveç literaturës që kërkohej me planprogramet e të gjitha viteve porosita gjithçka që, përveç të tjerash, do t’i bënte nder bibliotekës e, para së gjithash, edhe gjimnazit. Pra, arsyen, se nuk e kishte gjetur veprën e Naimit, të De Radës, të Nolit, të Migjenit e të shkrimtarëve të tjerë e solla në zero. Po theksoj se çfarë synonte të arrijë udhëheqja jugosllave përmes bashkëpunimit midis Kosovës dhe Shqipërisë, këtu nuk është vendi për ta shtjelluar, por duhet thënë kishte një prapavijë. Pra, siç thotë populli, “e kishte me sherr” dhe sherri e zuri në pranverën e vitit 1981. Tani, se si ua interpretova veprimtarinë e shkrimtarëve dhe veprat e tyre, mua nuk më takon ta them asnjë fjalë. E dinë ata dhe e kuptuan më mirë kur u ulën në bankat e auditoriumeve universitare. Tash po e them se planprogramin nuk e kam respektuar me fanatizëm, pra shpesh i kam kapërcyer caqet e tij. U kam caktuar ato vepra që mendoja se duhet t’i lexojnë; u lexova në klasë fragmente nga romani “Dimri i madh”, poemën “Nënë Shqipëri”, pjesë nga “Lahuta e Malësisë” fragmente nga romani “Mërgata e qyqeve” e të tjera. Po i radhis edhe disa prej temave të hartimeve që më kujtohen edhe sot, pasi ishin bërë pjesë e pyetjeve gjatë hetuesisë në burgun e Pejës: “Ti Shqipëri më jep nderë, më jep emrin shqiptar”, “Nëntori, spektër i fitoreve tona historike”, “Populli shqiptar e ka çarë rrugën e historisë me shpatë në dorë” e të tjera si këto. Synimi im ishte që vetëdijen kombëtare te nxënësit ta ngreh në shkallën më të lartë të mundshme. Legjenda e lirisë së vendit, Adem Demaçi, e quajti Esat Mekulin “kopshtari i  letrave tona” i cili në vjershën “Popullit tim” e skaliti vargun “Këndova edhe kur m’ishte ndalue”. Porosinë që ua la brezave plaviani i lavdishëm u përpoqa ta përcjell së paku simbolikisht te nxënësit, duke ua ofruar diçka edhe nga e ndaluara. Rrugëtimin e shumicës prej tyre e kam dëshmi se nuk kisha pas mbajtur “ujë me shoshë”. Prandaj po shfrytëzoj rastin që përmes kësaj interviste t’u shpreh mirënjohje publike. Pra, përveç përpjekjes për t’i pajisur nxënësit me njohuri sa më të gjëra nga fusha që e mbulonte lënda Gjuhë dhe Letërsi Shqipe, qëllimi im kryesor ishte që në vetëdijen e tyre ta mbjell dashurinë ndaj Shqipërisë, t’ua bëj me dije se gjysma e trojeve shqiptare janë të robëruara, prandaj duhet të përpiqemi për t’i çliruar. Në marsin e ’79-s bëra një vizitë dhjetëditëshe në Shqipëri me disa shokë. Pas një kohe organet përkatëse më kërkuan shpjegime. Nuk iu përgjigja thirrjes së tyre. Përveç atyre që u thanë më sipër, edhe kjo çështje ishte një nga pretekstet për të më arrestuar në dhjetorin e ’80-s dhe për të më dënuar dy muaj burg me akuzën për propagandë armiqësore. Ky ishte çmimi që e pagova për punën rreth një dekadë në gjimnaz.

“Epoka e re”: A mund të na thoni diçka për veprimtarinë tuaj politike në kuadrin e lëvizjes ilegale?
Hasan Ukëhaxhaj: Më 1975 Titoja e vizitoi Kosovën, gjendjen politike të së cilës e vlerësoi stabile. Me atë rast u shpall edhe “Doktor Nderi” i Universitetit të Prishtinës, të cilin e përgëzoi, prandaj edhe e nxiti bashkë me Qeverinë që ta vazhdojnë edhe më tej bashkëpunimin me Shqipërinë. Në anën tjetër, për të tretën herë dënohet Adem Demaçi. Si gurrë frymëzimi dhe si legjendë u materializua me formimin e organizatës “LNÇK”. Meqë në radhët e saj më vonë aderuan edhe atdhetarë të tjerë nga viset e tjera shqiptare në Jugosllavi ajo i përfshiu ato vise edhe në emrin e saj të ri. Në tetorin e ’79-s monarku i Kumrovcit erdhi sërish në Kosovë për të parë se ç’fryte do të mblidhte nga të mbjellat e një dekade. U tërbua sepse, duhet pranuar nuk i mungonte intuita, e pa se “në vend të erës do të korrte furtunën”,  prandaj “i mbathi” ata që mendonte se ia kishin punuar. Por as vetë nuk qe kthyer “i pambathur” nga organizata e sapocekur më lart, e cila edhe vet i pagoi shtrenjtë “thumba e patkonj”: U arrestuan e më pas edhe u dënuan disa nga anëtarët e saj, ndërkaq ndër të arratisurit ishte edhe Jusuf Gërvalla. Shkurt, në aspektin organizativ ajo ishte shpërbërë. Meqë familja e Ismajl Haradinajt kishte pasur miqësi paraprake me atë të Gërvallajve, ai  u përcaktua ta gjejë mënyrën për të komunikuar me Jusufin dhe për t’i shprehur gatishmërinë e vet për ta vazhduar veprimtarinë, duke shpresuar se do t’i gjejë edhe bashkëmendimtarët. Propozimin e kishte pritur Jusuf Gërvalla me kënaqësi të veçantë. Me Ismailin njiheshim që nga vitet kur punoja në shkollën fillore të Gramaçelit, prandaj kishte vendosur të ma shtrojë atë që mendonte. Mal, këtu më duhet të jem edhe më rezimues se më sipër, duke u kërkuar ndjesë edhe bashkëveprimtarëve, meqë jam i detyruar që edhe emrat e tyre t’i kapërcej. Por, siç e dinë edhe ata, nuk do të kalojë kohë e gjatë kur puna e secilit do t’i bëhet e njohur opinionit. Prandaj po i bie shkurt. Meqë kishte punuar njëkohësisht edhe me bashkëvendësin, tani më të ndjerë, Dinë Ahmetaj, në shtëpinë e tij, përveç programit e statutit, e lexuam edhe punimin e Jusufit të botuar në “Bashkimi”, organ i “Frontit të kuq popullor”…  Respekt  për heroin e rënë bashkë me vëllanë dhe Kadri Zekën, por dy emrat e propozuar prej tij për anëtarë Komiteti për ne të dy ishin të papranueshëm… I dhashë gajret Ismailit duke i premtuar se problemin do ta zgjidhim. Pas disa javësh e lajmërova se qëllimin e kisha arritur. U pajtua me propozimin që ta takoj me treshen në bibliotekën e gjimnazit. Atyre ua caktova kohën kur do t’i merrja veç e veç. E fillova me Avdullah Hasanmetaj, për të vazhduar me Jashar Salihun, ndërkaq me Shkurte Drita Kuqin u kompletua “ekipi”. Pra, “themelin” Komitetit të Deçanit ia vumë në bibliotekën e gjimnazit, “kulmin me dyer e dritare” në shtëpinë e Ismail Haradinajt, nën udhëheqjen e të cilit dhe në saje të një bashkëpunimi korrekt deri në marsin e ’81-shit LNÇKVShJ e ripërtërirë, përveç Komitetit të Drenasit, e kishte në prag të formimit edhe atë në Mitrovicë. Ndërkaq celulat i kishte formuar edhe në Gjilan e Besianë. Ndoshta nuk është modeste, por po e theksoj se asnjë shkollë e mesme anekënd Kosovës nuk i ka pasur gjashtë profesorë në Lëvizjen Ilegale siç i pati Gjimnazi i Deçanit.

“Epoka e re”: Dëshirojmë ta dimë mendimin tuaj për demonstratat e vitit 1981?
Hasan Ukëhaxhaj: Për mendimin tim që po e jap që në fillim, demonstratat e pranverës së vitit 1981 janë një nga tri majat përmes të cilave gjysma e kombit gjakoi “për të dalë më vete” siç shkroi J. Gërvalla në punimin e cekur më sipër. Ishin majat e gjysmës së dytë të shekullit XX. I filluan studentët e nga një prilli u bashkuan me ta edhe shtresat e tjera të shoqërisë. Ato së pari duhet thënë se i befasuan Prishtinën dhe Beogradin, po ashtu edhe Tiranën. Përtej trekëndëshit të sapocekur, ato e befasuan edhe vetë Lëvizjen Ilegale, e cila arriti të konsolidohet me shpejtësi në kuptimin për t’iu përgjigjur rrethanave të reja, duke u bërë jo pjesë, por edhe udhëheqëse e aksioneve. Përveç ilegalit me megafon në bli, lëviznin edhe të tjerë veprimtarë në mesin e asaj mase, jehona e brohoritjeve të së cilës arrinte edhe përtej skajeve të qytetit. Pra, Lëvizja Ilegale, në kuadrin e së cilës vepronin katër organizata, e dha kontributin e vet duke u dhënë ngjarjeve kohezioni e duhur. Përveç këtyre që u thanë më sipër, për kërshërinë që e shprehet në pyetjen tuaj, po i shtoj edhe disa rreshta. Po filloj me trekëndëshin e cekur më sipër. Së pari, Serbia alias Jugosllavia demonstratat i kualifikoi asgjë më pak se kundërrevolucion, Kosova, ndrydhu-çndrydhu, pshtillu-çpshtillu, u detyrua ta pranojë verdiktin serbian.  Ndërkaq, inteligjencia e saj nuk i mbështeti sepse, siç thekson U. Hoti, do të duhej të shkonte në burg, por as nuk i dënoi sepse nuk mund të dilte kundër veprës që e kishte krijuar vetë. E Shqipëria, përveç përgjigjes flakë për flakë për akuzën e Serbisë, se gjoja ajo kishte dorë, së paku, në inspirimin e tyre e diçka më shumë se kaq, i mbrojti demonstruesit dhe e mbështeti kërkesën e tyre për Kosovën Republikë. Qëndrimi i tillë ishte statisfaksioni më brilant për të  rinjtë në radhë të parë, të cilët e kishin sakrifikuar të ardhmen e tyre. Ndërkaq, sa i përket qasjes së mirëfilltë shkencore, mund të thuhet se, krahas vlerësimeve objektive e të matura, nuk mungojnë as të ekzagjeruarat. Mal, në qershorin e vitit 2011, përveç të tjerave, u mbajt edhe konferenca shkencore kushtuar demonstratave të vitit 1981, në të cilën janë lexuar mbi dyzet kumtesa. E theksova këtë për të dëshmuar se në këtë rast nuk kam pse të vazhdoj më tej. (Vijon)

 Mal QORRAJ

 

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Prej të hënës kanë filluar ligjëratat në objektin e ri…