Ukraina dhe lufta tregtare, dy temat në takimet e G7-s

13 mars 2025 | 08:34

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, do të takohet me homologen e tij kanadeze në takimet e G7-s më 13 mars, por diskutimet për kërcënimet amerikane për aneksim nuk pritet të jenë pjesë e bisedimeve, pasi takimet pritet të dominohen nga përpjekjet për të arritur një armëpushim në Ukrainë.

Ruboi shkoi në Kanada një ditë më parë për takime me ministrat e Jashtëm të grupit të shtatë vendeve më të industrializuara (G7).

Ai pritet që të njoftojë homologët e tij për përpjekjet amerikane për një armëpushim në luftën trevjeçare mes Rusisë dhe Ukrainës, pasi delegacionet e Shteteve të Bashkuara dhe Ukrainës u takuan më herët gjatë javës në Arabinë Saudite.

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka thënë se shpreson që negociatorët amerikanë në Moskë do të jenë në gjendje të arrijnë një armëpushim, ndërkaq zyrtarët kanë thënë se SHBA-ja dëshiron që Rusia të pajtohet për një ndalim të pakushtëzuar të armiqësive.

Nga Kremlini kanë deklaruar se po presin të mësojnë detajet nga armëpushimi i propozuar, ndërkaq presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, është shprehur se vendi i tij është i gatshëm ta pranojë marrëveshjen, teksa Uashingtoni ka sinjalizuar se do të përgjigjet “ashpër” nëse Rusia e refuzon propozimin amerikan për armëpushim.

Sekretari i Jashtëm britanik, David Lammy, tha se G7-ta duhet të përqendrohet në atë që “të sigurohet që Ukraina është në pozicionin më të fuqishëm për të arritur një paqe të drejtë dhe afatgjatë”.

Kryediplomatja kanadeze, Melanie Joly, tha se ajo pret që bisedimet me Rubion të përqendrohen “tek Ukraina dhe armëpushimi që është prezantuar”.

Por, kur u pyet lidhur me deklaratat e Trumpit lidhur me dëshirën që ta bëjë Kanadanë pjesë të SHBA-së, Joly u tha gazetarëve se “sovraniteti kanadez nuk është i negociueshëm”.

Gjatë një ndalese në Irlandë, rrugës për në Kanada, Rubio tha se takimet e G7-ës “nuk është një takim për atë se kush do të marrë kontrollin e Kanadasë”.

Veprimet e Trumpit që kur u rikthye në Shtëpinë e Bardhë në janar kanë lëkundur raportet e Uashingtonit me aleatët tradicionalë.

Të mërkurën kanë hyrë në fuqi tarifat prej 25 për qind të SHBA-së ndaj importeve të çelikut dhe aluminit, duke shtyrë që partnerët kryesorë tregtarë të Uashingtonit të prezantojnë kundërmasa.

Bashkimi Evropian vendosi kundërmasa kundër mallrave amerikane, masa që do të hyjnë në fuqi në prill. Ndërkaq, Kanadaja njoftoi se do të vendosë tarifa shtesë ndaj produkteve amerikane në vlerë prej 20.7 miliardë dollarësh, tarifa që nisin të zbatohen nga e enjtja.

Paraprakisht, Kanadaja kishte vendosur tarifa prej 25 për qind ndaj produkteve amerikane si kundërpërgjigje për tarifat amerikane kundër importeve të caktuara kanadeze.

Joly tha se planifikon që ta ngrehë çështjen e tarifave “në çdo takim” në G7.

Ruboi tha se pret nga homologët e tij nga Britania, Kanadaja, Franca, Gjermania, Italia dhe Japonia të lënë anash çdo frustrim të mundshëm të shkaktuar nga politikat tregtare të Trumpit dhe të punojnë në qëllimet e përbashkëta që kanë.

Sipas tij, tarifat ndaj importeve të aluminit dhe çelikut janë të lidhura me shqetësimet kombëtare.

“Nga secili shtet në botë ne presim që të veprojë në përputhje me interesat e tij kombëtar”, shtoi sekretari Rubio.

“Mendoj se është e mundshme që t’i bëjmë këto gjëra dhe në të njëjtën kohë të ndërveprojmë në mënyrë konstruktive me aleatët dhe miqtë tanë. Ky është rezultati që pres nga takimi i G7-ës dhe Kanadaja”, tha ai.

Gjatë takimeve treditore, ministrat e G7-ës do të trajtojnë edhe qasjen ndaj Kinës dhe situatën në Lindjen e Mesme./Radio Evropa e Lirë

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Të dhënat e reja tregojnë se dëshira e qytetarëve gjermanë…