Ukraina falënderon Serbinë për ndihmën humanitare: Armët kanë rëndësi
Ambasadori i Ukrainës në Serbi, Volodymyr Tolkach, ka thënë se Ukraina është mirënjohëse ndaj Serbisë për ndihmën humanitare të ndarë, por se nevojitet më shumë.
“Sot është e rëndësishme çështja e mbështetjes së integritetit territorial dhe sovranitetit të Ukrainës, e cila në këtë moment kërkon jo vetëm ndihmën humanitare, por edhe dhënien e armëve dhe municioneve”, ka thënë Tolkach në një konferencë për medie, kushtuar marrëdhënieve ndërmjet Ukrainës dhe Serbisë.
Ai ka thënë se mbrojtja e integritetit territorial të Ukrainës nuk mund të mbijetojë vetëm me ndihmë humanitare.
Agjencia “Reuters” kishte njoftuar më 12 prill, duke cituar një dokument konfidencial të Pentagonit, se Serbia ka pranuar të dorëzojë armë në Kiev ose i ka dërguar tashmë ato.
Zyrtarët në Serbi, përmes deklaratave të tyre, kishin hedhur poshtë pretendimet e tilla.
Pas pushtimit rus të Ukrainës, më 24 shkurt të vitit 2022, autoritetet serbe vendosën që Serbia të mos eksportonte armë tek asnjë palë në konflikt dhe të mos lejonte transportin e armëve nëpër territorin e saj, raporton “Rel”.
Ambasadori i Ukrainës në Serbi, Volodymyr Tolkach, ka thënë më 12 maj se lufta e popullit ukrainas dhe humbjet që ata po pësojnë “janë për hir të së ardhmes sonë të përbashkët evropiane”.
Ai ka thënë gjithashtu se marrëdhëniet serbo-ukrainas, tash e më shumë se një vit, po zhvillohen përgjatë gjendjes së luftës në Ukrainë.
“Agresioni i Rusisë kundër Ukrainës ndikon në këto marrëdhënie. Në bazë të kësaj formohen marrëdhëniet mes Serbisë dhe Ukrainës”, ka thënë Tolkach.
Serbia është vend i rrallë në Evropë që ka refuzuar të sanksionojë Rusinë për pushtimin e Ukrainës.
Ndërkohë, ajo mbështeti disa rezoluta që dënojnë pushtimin rus në Ukrainë.