Ukraina forcon mbrojtjen e kufirit të saj me Bjellorusinë
Ukraina është dike e forcuar mbrojtjen e kufirit të saj me Bjellorusinë nga frika se Rusia mund të jetë duke përgatitur një sulm të ri, ka thënë një zyrtar qeveritar.
Zëvendësministri i Brendshëm, Yevhen Yenin, ka thënë për “BBC”-në se Ukraina do të forcojë kufirin me Bjellorusinë me forca të armatosura dhe municione.
Lajmi është bërë me dije teksa presidenti rus, Vladimir Putin, ka udhëtuar dje për në Minsk, për të takuar homologun e tij bjellorus, Alyaksandr Lukashenka.
Bjellorusia ndan kufirin me Rusinë dhe Ukrainën.
Lukashenka i ka thënë Putinit se çështjet kryesore në raportet e tyre dypalëshe së fundi kanë qenë mbrojtja dhe siguria.
“Kohërat e vështira kërkojnë që ne të kemi vullnet politik dhe të përqendrohemi në arritjen e rezultateve në të gjitha temat e agjendës dypalëshe”, ka thënë Lukashenka gjatë takimit me Putinin, më 19 dhjetor.
Lukashenka dhe Putini kanë rënë dakord gjatë bisedimeve në Minsk që vendet e tyre do të vazhdojnë të mbajnë stërvitje të përbashkëta ushtarake dhe do të ruajnë bashkëpunimin ushtarak në fusha të tjera.
Rusia dhe Bjellorusia ranë dakord për forcimin e bashkëpunimit “në të gjitha fushat”, tha Putini, gjatë një konference të përbashkët për media pas takimit me Lukashenkën, i cili zgjati mbi dy orë.
Kjo përfshin “masa të përbashkëta për sigurinë e dy vendeve”, trajnime të vazhdueshme të përbashkëta dhe “dërgimin e ndërsjellë të armëve”, ka thënë Putini.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ka hedhur poshtë spekulimet se Rusia do të kërkojë nga Bjellorusia që të hyjë në luftë kundër Ukrainës.
Aktualisht, Rusia ka mijëra trupa në Bjellorusi për trajnime. Ekspertët kanë argumentuar se Moska po i përgatit trupat për një ofensivë të shkallës së gjerë në fillim të vitit të ardhshëm.
Ndonëse Bjellorusia nuk është përfshirë drejtpërdrejt në luftë, ajo ka lejuar trupat ruse të përdorin territorin e saj për të nisur pushtimin në shkurt.