Ukraina gati për luftë
Që kur Rusia aneksoi Krimenë dhe Sevastopolin në vitin 2014, konflikti ushtarak midis republikave të vetëshpallura të Donetskut dhe Luhanskut, të mbështetur nga Rusia, dhe qeveria ukrainase, ka bërë që lindja e vendit të jetë në krizë të vazhdueshme.
Sipas një deklarate të OKB-së për Koordinimin e Çështjeve Humanitare (OCHA) në një raport të shkurtit 2021, konflikti i vazhdueshëm dhe mungesa e një zgjidhjeje politike kanë shkaktuar një dëm kolosal në jetën e miliona ukrainasve.
Kjo krizë gjithashtu ka shkëputur rrjetet e shërbimeve dhe tregjeve dhe ka shkëputur njerëzit me qytetet nga të cilat ata vareshin për përfitime sociale dhe shërbime thelbësore. Në vitin 2021, OCHA vlerësoi se 3.4 milionë njerëz në “zonat e prekura nga konflikti” kishin nevojë për ndihmë humanitare, përkatësisht 8 për qind e popullsisë totale të Ukrainës.
Rusia besohet se ka rritur praninë e saj ushtarake në kufirin ukrainas gjatë javëve të fundit, me numrin e trupave që tani vlerësohet se është mbi 100 000. Nëse, dhe në çfarë mase, kjo situatë do të përshkallëzohet është ende e paqartë, raporton “abcnews.al”.
Presidenti i Ukrainës, Zelenskiy ka qenë i gatshëm për të minimizuar rrezikun e menjëhershëm që vjen nga trupat ushtarake:
“Ne e kuptojmë se çfarë po ndodh. Por ne kemi qenë në këtë situatë për tetë vite. Kërcënimi është i vazhdueshëm. Nuk mund të themi se lufta do të ndodhë nesër ose deri në fund të shkurtit. Po, mund të ndodhë, për fat të keq. Ne po ndjejmë tensionin çdo ditë”, deklaroi ai.
Rusia vazhdon të mohojë se po planifikon një pushtim, por e ka shprehur qartë se kundërshton hapur zgjerimin e mëtejshëm të NATO-s drejt lindjes – diçka që organizata ka refuzuar ta përjashtojë si mundësi dhe me Ukrainën nga ana tjetër që haptazi aspiron anëtarësimin në aleancë.
Përpjekjet diplomatike deri më tani kanë dështuar për të zgjidhur krizën. Ndërkohë, partnerët humanitarë të OCHA-së “synojnë të ndihmojnë 1.8 milionë njerëz, me një kërkesë financimi prej 190 milionë dollarësh”, duke u fokusuar në “shpëtimin e jetëve, sigurimin e aksesit në shërbimet bazë dhe forcimin e mbrojtjes së atyre që preken nga konflikti dhe Covid-19.”