
Ukraina hakmerret për sulmin me 34 viktima dhe godet bazën ruse prej nga u lëshuan raketat
Ukraina pretendon se ka goditur një bazë që i përkiste një brigade raketore ruse që kreu një sulm vdekjeprurës në qytetin e Sumy-t të Dielën e Palmave.
“(Një bazë) e brigadës së 448-të raketore të pushtuesve rusë u godit, u regjistrua një shpërthim dytësor i municioneve. Rezultatet e sulmit po sqarohen”, tha ushtria ukrainase në një deklaratë në Telegram.
Pamjet e filmuara në anë të një rruge duket se tregojnë një zjarr të madh që shpërthen në bazën, e cila ndodhet në Kursk.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha sot se Ukraina kishte nevojë urgjente për sisteme mbrojtëse ajrore pas sulmeve ruse me raketa, përfshirë Sumy-n, të cilat vranë 34 persona dhe plagosën 100 të tjerë.
“Absolutisht të gjithë e shohin se sa e mprehtë është nevoja e Ukrainës për sisteme dhe raketa mbrojtëse ajrore. Ne folëm shumë për këtë sot”, i tha presidenti ukrainas Mark Rutte-s, sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, gjatë një vizite në qytetin jugor ukrainas të Odesës.
Rutte këmbënguli se mbështetja e NATO-s për Ukrainën ishte “e palëkundur”, por vizita e tij erdhi ndërsa administrata Trump bllokoi G7-ën nga lëshimi i një deklarate që dënonte sulmin e Rusisë.