Ukraina i bashkohet NATO-s në stërvitje për testimin e sistemeve kundër dronëve
NATO-ja i përfundoi stërvitjet e madhe kundër dronëve këtë javë, në të cilat mori pjesë Ukraina për herë të parë, me qëllim të mësuar urgjentisht nga zhvillimi i hovshëm dhe përdorimi i skajshëm i dronëve, mjeteve pa pilot në luftën në Ukrainë.
Në këto stërvitje, të mbajtura në një bazë ushtarake në Holandë, morën pjesë më shumë se 20 shtete dhe rreth 50 kompani, të cilat testuan sistemet e teknologjisë më të fundit për vërejtjen dhe rrëzimin e dronëve.
Stërvitjet 11-ditore përfunduan me një ushtrim për vërejtjen dhe rrëzimin e dronëve në një javë kur rolin i tyre vendimtar në luftën në Ukrainë u dëshmua përsëri.
Të mërkurën, një sulm i madh ukrainas me dronë e shkaktoi një shpërthim të përmasave të një tërmeti në një depo të madhe të armëve në Rusi. Të nesërmen, presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, tha se Moska e ka rritur prodhimin e dronëve në gati 1.4 milion këtë vit.
Rritja e përdorimit të dronëve në luftë për t’i shkatërruar objektivat dhe për ta vëzhguar fushëbetejën e ka nxitur NATO-n ta kthejë përqendrimin kah kërcënimi që dronët mund ta përbëjnë për aleancën.
“NATO e merr shumë, shumë seriozisht këtë kërcënim”, tha Matt Roper, shef i Qendrës së Përbashkët të Inteligjencës, Vëzhgimit dhe Zbulimit në agjencinë teknologjike të aleancës.
“Kjo nuk është diçka të cilën ne duhet ta shpërfillim”, tha ai në zonën e stërvitjeve në lindje të Holandës.
Ekspertët kanë paralajmëruar NATO-n se ajo duhet të kapë hapin shpejt në kohën me dronët e luftës.
“NATO-ja ka shumë pak dronë për luftë të intensitetit të lartë kundër një armiku”, thuhet në një raport nga Qendra Evropiane për Analiza Politike nga shtatori i kaluar.
“Ajo do të përballej me sfida shumë të mëdha për t’i përdorur dronët që ka në një mjedis të kontestuar”, sipas saj. /REL