Ukraina insiston se situata në Pokrovsk është “stabile” pas luftimeve të ashpra
Një zëdhënës i ushtrisë ukrainase pretendoi se situata në Pokrovks vazhdon të jetë “stabile” dhe nuk ka trupa ruse brenda qytetit të rrethuar ukrainas, edhe pse autoritetet kanë evakuuar fëmijët nga aty.
“Në Pokrovsk, në qytet, situata nuk ka ndryshuar. Është stabile”, tha zëdhënësi Viktor Tregubov, përderisa e pranoi se forcat ruse ende duket se po synojnë ta rrethojnë zonën.
“Atje [në qytet] nuk ka forca të armikut. Tashmë na duhet ta përgënjeshtrojmë informacionin e publikuar se forcat armike kanë arritur atje. Kjo nuk është e vërtetë”, insistoi ai, raporton Rel.
Forcat ruse kanë vazhduar të bombardojnë qytetin që gjendet në rajonin lindor ukrainas të Donjeckut, policia më 18 janar ndihmoi banorët lokalë të largoheshin nga qyteti, sipas korrespondentëve të Radios Evropa e Lirë në terren.
Dikur shtëpi e 60 mijë banorëve, në Pokrovsk aktualisht gjenden afër 7 mijë banorë, vlerësojnë autoritetet lokale.
Situata përreth kësaj qendre të rëndësishme logjistike – që ka qenë në shënjestër të forcave ruse në muajt e fundit – mbetet e paqartë. Është raportuar se të dyja palët kanë pësuar humbje të mëdha, edhe pse ushtritë e asnjërit shtet nuk publikojnë numrin e viktimave.
Forcat ruse që disa javë janë afër Pokrovskut, por disa vëzhgues kanë sugjeruar se Kremlini mund të vendosë që ta shmangë luftën në këtë qytet dhe të vazhdojë tutje për të marrë territor në pjesë të tjera të Ukrainës.
Më 7 janar, Ministria ruse e Mbrojtjes pretendoi se trupat e saj kishin marrë nën kontroll qytezën ukrainase të Kurahovas, që gjendet rreth 30 kilometra në jug të Pokrovskut.
Më 18 janar, kjo ministri tha se forcat e saj kanë marrë nën kontroll edhe dy vendbanime në këtë rajon, fshatin Petropavlivka – që gjendet mes Pokrovskut dhe Kurakovas – dhe Vremivka.
Nëse forcat ruse marrin Pokrovskun, kjo do të ishte një fitore e madhe për Kremlinin pasi luftimet e kanë shndërruar shumicën e këtij qyteti në gërmadha.
Në deklaratën e tij, Tregubov tha se “armiku po tenton që të qëndrojë në jug të Pokrovskut në mënyrë që të avancojë në jugperëndim të vendbanimit dhe të ndërpresë rrugët që përdoren për furnizime të logjistikës”.
“Ajo që po ndodh në vendbanimet në jug të Pokrovskut… atje ka luftime të vazhdueshme, përpjekje të vazhdueshme nga armiku që ta bëjë këtë zonë bazë dhe të avancojë. Rusët aktualisht janë larg arritjes së këtij qëllimi, por ata po tentojnë”, tha ai.
Instituti për Studim të Luftës – me bazë në SHBA – në përditësimin e fundit sa i përket luftës në Ukrainë, tha se “forcat ruse së fundi kanë avancuar në drejtim të Pokrovskut dhe po vazhduan ofensivat e tyre më 17 janar.