Ukraina liron ushtarakët rusë të kapur rob; Rusia vazhdon shkarkimet e komandatëve ushtarakë
Ukraina ka liruar sot 19 ushtarakët e parë të kapur rob nga radhët e forcave ruse, në kuadrin e një shkëmbimi ku të dyja palët pritet të lirojnë nga 107 robër.
Sipas të dhënave të zbulimit të shërbimeve britanike, Rusia vazhdon ndërkohë të shkarkojë komandantët ushtarakë duke i fajësuar ata për dështimet në arritjen e objektivave në fushëbetejë.
Ukraina liroi të dielën disa ushtarakë të kapur rob që ishin bërë pjesë e forcave ruse në pjesën e pushtuar të rajonit Donetsk. 19 ushtarakët, të dorëzuar në kuadrin e një shkëmbimi robërish mes Rusisë dhe Ukrainës, u pritën nga të afërmit e tyre.
“Kam qenë duke kërkuar në internet pasi u kap rob. Kur pati një shkëmbim të mëparshëm, ai nuk ishte përfshirë. Megjithatë ende shpresoja se do të kthehej dhe kontaktova kë munda, shkruajta gjithandej. Më në fund e shoh këtu”, thotë Oksana, bashkëshorte e një prej ushtarakëve të liruar.
“Iu afruan pozicioneve tona dhe nga bombardimi mbeta i plagosur. Pastaj më morën me vete”, tregon Ruslani, një ndër ushtarët e liruar nga Ukraina.
Autoritetet ruse thanë se 19 ushtarakët e liruar nga Ukraina do të dërgohen të gjithë në Rusi dhe se është rënë dakort që secila palë të shkëmbejë 107 robër.
Zëvendës guvernatori i emëruar nga Rusia i rajonit Kherson, Kirill Stremousov, njoftoi të dielën në rrjetin Telegram se forcat ukrainase po përgatiteshin për një ofensivë të re në këtë rajon me brigada artilerie, avionë dhe helikopterë.
Gjatë 24 orëve të fundit, forcat ukrainase sulmuan nëntë objekte, ndër to edhe një depo municionesh në Kherson, duke përdorur madje edhe armatime të kapura nga pala ruse.
Në informimin e saj të së dielës për konstatimet më të fundit të shërbimeve të zbulimit, Ministria britanike e Mbrojtjes tha se ka patur “një sërë shkarkimesh të komandantëve të lartë rusë” dhe se këto reflektojnë tendencën për të fajësuar drejtuesit e lartë ushtarakë rusë për dështimet në arritjen e objektivave në fushëbetejë, duke e shmangur përgjegjësinë nga udhëheqësit në Kremlin.
Forcat ruse ndërkaq vazhdojnë të godasin rrjetin e furnizimit me energji dhe ujë të Ukrainës. Mendohet se sulmet kanë shkatërruar deri në 40% të sistemit energjitik dhe duke zhytur në errësirë pjesë të mëdha të vendit.
Ekipet ukrainase të emergjencave arritën të riparojnë linjat e jashtme të furnizimit me energji për centralin bërthamor në Zaporizhia, dy ditë pasi goditjet e artilerisë ruse dëmtuan shtyllat e tensionit të lartë, njoftoi Agjensia Ndërkombëtare për Energjinë Bërthamore (IAEA). /Abc news