Ukraina lutje qytetarëve nga e mbarë bota: Nëse keni ngrohëse apo gjeneratorë, kontaktoni ambasadën tonë në vendin e juaj
Anton Gerashchenko, këshilltar në qeverinë ukrainase, ka kërkuar nga njerëzit nga e mbarë bota që të dhurojnë ngrohëse dhe gjeneratorë për Ukrainën.
Kjo lutje vjen në kohën kur Ukraina po ballafaqohet me mungesë të energjisë elektrike dhe ujit të pijshëm, si pasojë e sulmeve raketore nga ana e Rusisë mbi infrastrukturën energjetike të Ukrainës, transmeton Telegrafi.
Gerashchenko, këshilltar i ministrit të Brendshëm të Ukrainës, ka njoftuar në Twitter se: “ndihma më e mirë për Ukrainën sot, përveç armëve janë edhe burimet autonome të energjisë dhe ngrohjes”.
“Nëse keni gjeneratorë që nuk i përdorni apo rrallë e përdorni, ju lusim që të mendoni për këtë se si mund ta dhuroni si donacion për Ukrainën. Para nesh po vjen një dimër i ashpër, por do t’i mbijetojmë edhe këtij. Ju lusim që të kontaktoni ambasadën ukrainase në vendin tuaj lidhur me këtë”, shtoi Gerashchenko.
Kujtojmë që Rusia ka intensifikuar sulmet ajrore mbi infrastrukturën energjetike të Ukrainës, me qëllimin e vetëm që ta lë këtë vend pa energji në ditët e ftohta të dimrit.