Ukraina ndal kalimin e gazit rus për në Evropë
Gazi rus nuk po rrjedh më në vendet e Bashkimit Evropian përmes Ukrainës: më 31 dhjetor, skadoi marrëveshja pesëvjeçare mes Gazprom dhe Ukrainës për tranzitin e gazit. Kjo rrugë energjie kishte qenë në përdorim që nga shpërbërja e Bashkimit Sovjetik në vitin 1991.
Gazi mund të rrjedhë ende nga Rusia për në Europë përmes gazsjellësit “Turkish Stream”, por jo përmes Ukrainës, çka do të reduktojë importet e gazit në BE me rreth 14 miliardë metra kub.
“Ne kemi ndaluar tranzitin e gazit rus, kjo është një ngjarje historike. Rusia po humb tregje dhe do të pësojë humbje financiare”, tha ministri i Energjisë i Ukrainës, Herman Halushchenko, duke shtuar se Ukraina ka ndihmuar Europën të afrojë më shumë qëllimin e saj për t’u braktisur plotësisht gazin rus deri në vitin 2027.
Sipas vlerësimeve më të fundit, Rusia do të humbë rreth 5.2 miliardë euro në vit nga gazi që transportohej më parë në Europë përmes Ukrainës.
Deri në fund të vitit 2024, volumi i gazit rus të eksportuar në Europë përmes gazsjellësve ukrainas do të ketë rënë me 78 për qind që nga fillimi i kontratës në vitin 2020.
Në vitin 2023, Gazprom raportoi një humbje neto prej 629 miliardë rubla (5.52 miliardë eruo), humbja e parë që nga viti 2001, pas një rënieje të theksuar të shitjeve të gazit. Para kësaj, gjigandi i gazit kishte fituar miliarda çdo vit, madje edhe gjatë vitit të parë të luftës.