Ukraina ndalon përdorimin e vaksinës ruse kundër Covidit
Parlamenti i Ukrainës ka miratuar të premten një ligj që synon të përshpejtojë aprovimin e vaksinave kundër koronavirusit, por gjithashtu ndalon aprovimin e vaksinave të bëra në Rusi.
Qeveria e Ukrainës ka bërë me dije se pret të marrë 100 mijë deri në 200 mijë doza të vaksinave të bëra nga kompanitë “Pfizer” dhe “BioNTech”, përmes skemës së njohur si “COVAX”.
“COVAX”-i, një nismë e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, që synon shpërndarjen e vaksinave edhe në vende më të varfra, pritet të nisë operacionet në shkurt.
Në Ukrainë nuk është aprovuar ende asnjë vaksinë, por autoritetet vazhdimisht kanë thënë se Kievi nuk do të miratojë ose përdorë vaksina nga Rusia – vend me të cilin lidhjet e Ukrainës janë të tendosura.
“Biolik”, kompani farmaceutike ukrainase, e mbështetur nga Viktor Medvedchuk, një figurë e shquar e opozitës me prirje pro-ruse, ka thënë në fillim të këtij muaji se ka aplikuar për miratimin e shtetit, për prodhimin e vaksinës ruse kundër koronavirusit “Sputnik V”.
“Askush nuk do ta regjistrojë vaksinën ruse në vend”, ka thënë ministri ukrainas i Shëndetësisë, Maksym Stepanov.
Marrëdhëniet midis dy vendeve janë të tensionuara, prejse Rusia ka aneksuar gadishullin ukrainas të Krimesë në vitin 2014 dhe është përfshirë në një konflikt të armatosur midis separatistëve dhe forcave pro-qeveritare në lindje të Ukrainës.
Mbi 14 000 njerëz kanë vdekur në këtë konflikt që vazhdon ende.