Ukraina njofton se ka në kontroll 1000 km katrorë të territorit rus

13 gusht 2024 | 08:52

Komandanti i lartë i Ukrainës ka thënë se forcat e Kievit kontrollojnë 1 000 km katrorë të territorit rus, teksa po kryejnë inkursionin e tyre më të madh ndërkufitar në dy vjet e gjysmë të luftës në shkallë të plotë.

Komandanti Oleksandr Syrskyi tha se Ukraina vazhdoi “të kryejë një operacion sulmues në rajonin e Kurskut” shtatë ditë pasi filloi, raporton BBC.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky tha se Rusia u kishte sjellë luftë të tjerëve dhe tani ajo po kthehet në Rusi, transmeton gazeta online Reporteri.net.

Por udhëheqësi rus Vladimir Putin e përshkroi ofensivën si një “provokim të madh” dhe urdhëroi forcat ruse “të dëbojnë armikun nga territori”.

Një numër në rritje njerëzish janë evakuuar nga rajoni perëndimor i Rusisë për  shkak të frikës për sigurinë e tyre, kurse 59 000 të tjerëve u është thënë të largohen.

Guvernatori lokal tha se rreth 28 fshatra në zonë kishin rënë në duart e forcave ukrainase, se 12 civilë ishin vrarë dhe se “situata mbetet e vështirë”.

Trupat ukrainase filluan sulmin e tyre të befasishëm të martën e kaluar, duke përparuar deri në 18 milje (30 km) në Rusi.

Ofensiva thuhet se ka rritur moralin në palën ukrainase, por analistët thonë se strategjia sjell rreziqe të reja për Ukrainën.

Një burim i lartë ushtarak britanik, i cili kërkoi të mos përmendet emri, i tha BBC-së se ekzistonte rreziku që Moska të zemërohet aq shumë nga ky inkursion sa mund të dyfishojë sulmet e saj ndaj popullsisë civile dhe infrastrukturës së Ukrainës.

Zyrtarët ukrainas kanë thënë se mijëra trupa janë të angazhuar në operacion, shumë më tepër se inkursioni i vogël i raportuar fillimisht nga rojet kufitare ruse.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Djersitja është forma më e shpejtë e lirimit të trupit…