”Ukraina nuk do të fitojë”, Orban: Strategjia antiruse e dështuar, të shkëputemi nga SHBA-ja
“Ukraina nuk do ta fitojë luftën me Rusinë”. Kështu mendon kryeministri Viktor Orban, i Hungarisë anëtare të NATO-s, i cili i rikthehet kritikave për strategjinë e SHBA-së dhe BE-së në Ukrainë. Sipas tij, financimi pa afat i betejës me shpresën e një disfate apo ndryshimi të regjimit në Moskë, është një strategjie e dështuar.
Gjatë një fjalimi në Zyrih, pjesë të së cilit u publikuan edhe në rrjetin social twitter ai bëri thirrje që Europa të mos e lidhë veten verbërisht pas Shteteve të Bashkuara, pasi siç paralajmëroi mund ta gjejë veten të braktisur në mesin e një konflikti të madh gjeopolitik.
“Le t’i bëjmë vetes një pyetje. Çfarë ndodh nëse ka një ndryshim të politikës në SHBA. Le të themi që repulikanët, të cilët janë më skeptike ndaj Ukrainës, vijnë në pushtet.
Më pas, amerikanët do të rigrupojnë forcat e ndoshta edhe të na kthejnë shpinën. Ne evropianët do të mbeteshim në mesin e një konflikti të madh gjeopolitik. Është e qartë se ukrainasit nuk do ta fitojnë luftën. Nuk ka zgjidhje në fushëbetejë. Rusia nuk do të humbasë”, tha ai.
Sipas Orban, në vend që ta lokalizonte konfliktin, perëndimi kishte vendosur të përshkallëzonte duke e bërë atë global.
Javën e kaluar, Orban kërkoi që Bashkimi Europian të rishqyrtojë strategjinë, me paralajmërimin që do të kundërshtonte çdo ndihmë të mëtejshme ndaj shtetit në luftë nëse liderët e bllokuar nuk do të siguronin që objektivët e tyre do të ishin realistë.
Viktor Orban konsiderohet si aleati më i ngushtë i Putinit në Europë. Ai ka folur për dështim të strategjisë antiruse të perëndimit edhe në të kaluarën duke kërkuar negociata mes SHBA-së dhe Moskës për t’i dhënë fund luftës.