
Ukraina pranon propozimin për armëpushim, Moska do të flasë me amerikanët
Zyrtarët rusë dhe amerikanë mund të komunikojnë me njëri-tjetrin në ditët e ardhshme, tha zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse Maria Zakharova për TASS.
Ajo e bëri deklaratën pasi presidenti amerikan Donald Trump njoftoi më herët të martën se zyrtarët nga të dy vendet mund të takohen të martën ose të mërkurën.
“Ne nuk përjashtojmë kontaktet me përfaqësuesit e SHBA brenda ditëve të ardhshme,” tha Zakharova në një pyetje mbi këtë temë.
Trump tha se kishte në plan të telefononte presidentin rus Vladimir Putin në dy ditët e ardhshme për të diskutuar situatën rreth Ukrainës. Sipas presidentit amerikan, “duhen dy për tango”.
Më herët të martën, ekipet negociuese të SHBA-së dhe Ukrainës zhvilluan bisedime në Jeddah të Arabisë Saudite.
Një deklaratë e përbashkët pas bisedimeve tha, ndër të tjera, se Kievi ishte gati të miratonte një armëpushim 30-ditor dhe të nënshkruante një marrëveshje mineralesh me Uashingtonin.
Në këmbim, ShBA-ja premtoi se do të rifillojë menjëherë ofrimin e ndihmës ushtarake dhe shkëmbimit të inteligjencës për Ukrainën. Ekipi amerikan udhëhiqej nga sekretari i Shtetit Marco Rubio dhe këshilltari i Sigurisë Kombëtare Mike Waltz. Ukraina u përfaqësua nga shefi i shtabit të presidentit ukrainas Zelensky, Andrey Yermak, ministri i Jashtëm Andrey Sybiga dhe ministri i Mbrojtjes Rustem Umerov.