Ukraina pretendon për “sukses të pjesshëm” afër Bahmutit
Forcat ruse kanë sulmuar me raketa rajonin e Zaporizhjës dhe të Sumit mëngjesin e 8 shtatorit. Si pasojë e sulmeve është plagosur të paktën një person, thanë autoritetet lokale, përderisa Kievi pretendoi për “sukses të pjesshëm” afër Bahmutit.
“Në mëngjes, armiku ka lëshuar disa raketa duke shënjestruar infrastrukturën civile në kryeqytetin e rajonit [të Zaporizhjës]. Të gjitha ekipet emergjente kanë dalë në vendin e ngjarjes”, tha Yuriy Malashko, kreu i administratës rajonale ushtarake.
Malashnko shkroi në Telegram se të paktën një banor lokal u plagos gjatë sulmin në qytetin e Zaporizhjës.
Ende nuk ka raportime për viktima në Sumi, ku granatimet kanë shkatërruar një shtëpi private, sipas administratës ushtarake të këtij rajoni.
Shtabi i Përgjithshëm i forcave ukrainase raportoi më 8 shtator se forcat e tij kanë zmbrapsur disa sulme ruse në qytetet dhe fshatrat në lindje dhe jug të shtetit, përfshirë edhe në vendbanimet në Liman, Bahmut dhe Shaharsk në rajonin e Donjeckut.
Ushtria pretendoi për “sukses të pjesshëm” të forcave ukrainase në jug të Bahmutit, ku trupat “po tentojnë të largojnë armikun dhe të përforcojnë pozicionet e tyre”.
Shtabi i Përgjithshëm tha po ashtu se trupat po bëjnë përparim gradual në ofensivën e tyre në jug drejt Detit Azov.
Ndërkaq, Ministria ruse e Mbrojtjes pretendoi se trupat e saj kanë zmbrapsur nëntë përpjekje të Ukrainës për të përparuar në jug të Bahmutit.
Raportimet për përparime në fushëbetejë nuk mund të konfirmohen në mënyrë të pavarur. Megjithatë, këto informacione vijnë në kohën kur forcat ukrainase janë përqendruar për të rimarrë Bahmutin, që u pushtua nga trupat ruse në maj, pas muajsh luftimesh intensive që e kanë shndërruar këtë qytet në gërmadha.
Ukraina ka nisur kundërofensivën e saj në qershor, por ka kritika se ajo po shkon ngadalë dhe po përdoren taktika jo të përshtatshme.