Ukraina pushton edhe një qytet me rëndësi strategjike në Rusi
Sipas presidentit Volodymyr Zelensky, ushtria ukrainase ka marrë kontrollin e plotë të qytetit Sudzha në rajonin kufitar rus të Kurskut.
Komandanti i përgjithshëm ukrainas Oleksandr Syrsky raportoi “çlirimin e qytetit të Sudzha nga duart e ushtrisë ruse”, tha Zelensky të enjten në shërbimin në internet Telegram.
Sudzha është strategjikisht e rëndësishme për ofensivën e ushtrisë ukrainase në Kursk, e cila ka vazhduar që nga 6 gushti. Qyteti i vogël me rreth 5500 banorë është shtëpia e stacionit të fundit të transferimit të gazit rus që arrin në Evropë nëpërmjet Ukrainës.
Syrsky tha se ushtria kishte krijuar një administratë ushtarake në Kursk.
“U krijua një komandë ushtarake për të garantuar ligjin dhe rendin dhe për të përmbushur nevojat më të rëndësishme të popullsisë në zonat e kontrolluara,” tha ai në një takim me Zelensky.
Përveç kësaj, komanda në Kursk duhet të kujdeset për furnizimin logjistik të ushtrisë.