Ukraina ratifikon statutin e Romës, pritet t’i bashkohet Gjykatës Ndërkombëtare Penale
Pas disa vitesh hezitimi dhe pavarësisht kundërshtimit nga ushtria, Parlamenti i Ukrainës ka votuar për t’u bashkuar me Gjykatën Penale Ndërkombëtare (ICC) me shpresën për ta ndëshkuar Rusinë për krimet e dyshuara të luftës që ka kryer në Ukrainë. Çështja është veçanërisht e ndjeshme në vend, pasi shumë kanë frikë se ushtarët ukrainas që luftojnë kundër ushtrisë ruse do të jenë në shënjestër të ICC-së, e cila ka për detyrë t’i ndjekë penalisht autorët e gjenocidit, krimeve kundër njerëzimit dhe krimeve të luftës.
Një total prej 281 deputetësh kanë votuar për ta ratifikuar Statutin e Romës, traktatin themelues të ICC-së.
Ky vendim do të krijojë “shansin më të madh për t’i ndëshkuar rusët dhe do ta forcojë izolimin e Rusisë”, ka thënë deputetja Evgenia Kravchuk e cila i përket partisë së presidentit Volodymyr Zelensky. Sipas saj, Ukraina përmendi nenin 124 të Statutit të Romës, i cili lejon çdo ukrainas civil apo ushtarak të përjashtohet nga çdo ndjekje penale nga ICC-ja për krime lufte për shtatë vjet.
Ratifikimi i statutit është pjesë e angazhimeve të Kievit ndaj BE-së, ka shpjeguar Kravchuk. “Është një masë e nevojshme, plotësisht e justifikuar dhe e sigurt”, ka thënë ajo.
Irina Gerashchenko si dhe partia e saj, opozita Solidariteti Ecropian, kanë votuar kundër propozimit. Gerashchenko madje ka folur për “diskutime të vështira” në parlament para votimit. “Ushtria kërkoi që ratifikimi të bëhet pas heqjes së gjendjes ushtarake”, ka thënë Gerashchenko.