Ukraina s’do kompromis me Moskën
Ukraina nuk është e gatshme të bëjë kompromis me Rusinë dhe të heqë dorë nga territoret e saj për t’i dhënë fund luftës, tha të martën shefi i shtabit të Presidentit Volodymyr Zelensky kur u pyet për të komentuar deklaratën e Donald Trump se ai mund t’i jepte fund luftës shumë shpejt.
Andriy Yermak u tha gazetarëve gjatë një vizite në Uashington se Kievi do të dëgjonte çdo këshillë se si të arrihet një “paqe e drejtë”.
“Por ne nuk jemi gati të bëjmë kompromis për çështjet dhe parimet shumë serioze, pavarësinë, lirinë, demokracinë, integritetin territorial, sovranitetin,” shpjegoi ai.
Vizita e Germak në SHBA vjen pak ditë para samitit të NATO-s në Uashington, ku lufta në Ukrainë do të jetë temë kryesore e diskutimit. Trump, një kandidat në zgjedhjet presidenciale të nëntorit, tha se nëse rizgjidhet, ai do të gjente shpejt një zgjidhje për luftën në Ukrainë.
Ai nuk elaboroi se si do ta bënte këtë, por, sipas Reuters, dy këshilltarë kryesorë të Trump i kanë paraqitur atij një plan në të cilin ai do të kërcënonte se do t’i jepte fund mbështetjes së SHBA për Kievin nëse Ukraina refuzon të hyjë në negociata me Rusinë.
Megjithatë, gjatë debatit Trump theksoi se nuk i pranon kushtet e vendosura nga presidenti rus Vladimir Putin.
Putin ka thënë se do t’i japë fund luftës kundër Ukrainës nëse Kievi pranon të dorëzojë katër provincat në lindje dhe jug të vendit që Moska ka pushtuar.